E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa viza në 2009?

Një raport konfidencial i BE-së evidenton se në shumë fusha raporti i gatishmërisë së palës shqiptare i disa kohëve më parë, nuk pasqyron një panoramë të plotë të situatës në vend

Një shuplakë e re ndërkombëtare pritet që të përplaset me fytyrën e qeverisë shqiptare për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, që ishte premtuar që të bëhej në vitin e ardhshëm. Francezët, të cilët kanë presidencën e radhës, duket se kanë gisht në këtë vonesë në liberalizimin e vizave. Burime konfidenciale nga vendet anëtare të BE-së i thanë dje televizionit “Alsat”, se dialogu aktual është vonuar me katër muaj dhe pritet të vonohet edhe më shumë, me qëllimin për ta shtyrë këtë proces për vitin 2010. Shqipëria duhet të përmbushë 41 masa dhe të japë sqarime për 74 pyetje që drejtohen nga Bashkimi Evropian për dialogun e liberalizimi të vizave. Ky televizion ka siguruar projekt-raportin konfidencial që pritet të publikohet zyrtarisht javën e ardhshme. I ndarë në katër kapituj, raporti në fjalë evidenton që në fillim, se në shumë fusha raporti i gatishmërisë së palës shqiptare i disa kohëve më parë nuk pasqyron një panoramë të plotë të situatës në vend. “Në kapitullin e parë, atë të sigurisë së dokumenteve, vlerësohet se Shqipëria ka bërë disa progrese dhe përveç regjistrit civil elektronik, kërkohet përpjekje e mëtejme për prodhimin e pasaportave biometrike, që priten të dalin në janar të vitit 2009, dhe trajnimin e zyrtarëve që do të punojnë me pasaporta dhe viza. Nevojitet raportim sistematik për humbjen dhe vjedhjen e dokumenteve të udhëtimit pranë Interpolit. Nga 57 mijë pasaporta të humbura nga viti 2004, vetëm 16 raste janë raportuar, ndërsa vetëm 2 297 janë kapur dhe deklaruar të pavlefshme”, thuhet në raportin në fjalë. Po ashtu, në kapitullin e dytë të raportit, ku shkruhet mbi migrimin e paligjshëm dhe ripranimin, vlerësohen disa progrese në menaxhimin e kufijve dhe ligjin për azilin, por edhe këtu mungon paraqitja e plotë e situatës. Në kapitullin e tretë, që përfshin rendin publik dhe sigurinë, vlerësohet miratimi i strategjive dhe dokumenteve që dëshmojnë vullnetin politik për të luftuar problemet serioze të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por kërkohet progres i konsiderueshëm në zbatimin e tyre. Në kapitullin e katërt dhe të fundit për marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore, Shqipëria vlerësohet me garantimin e lëvizjes së lirë, ku problem mbetet aksesi i dokumenteve, veçanërisht për romët. Ndërkohë, qeveria shqiptare vazhdimisht në deklaratat e saj e ka cilësuar pothuajse si të sigurt se, në vitin 2009, vendi ynë do të përfitojë liberalizimin, në sajë edhe të arritjeve të shumta. Ky raport, edhe pse pritej të përfundonte para Krishtlindjeve, është shtyrë për muajin janar dhe pritet të përfundojë në muajin mars 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›