E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka jonë

Familja Cani, ashtu si shumë të tjera, po rindërton shtëpinë e saj në vendin ku njerëzit më të afërm humbën jetën. Këtë e shikojnë si zgjidhjen e vetme për të jetuar

TIRANË - Është veshur fund e krye me të zeza. Familja e saj është një ndër familjet e shumta fatkeqe që patën viktima të shpërthimit më 15 mars. Por tashmë, tetë muaj pas tragjedisë, jeton me të vëllanë dhe familjen e tij. I ati, Hyseni, 49 vjeç, gjeti vdekjen brenda fabrikës së demontimit të predhave. Ndërsa e ëma u largua menjëherë pas tragjedisë. Quhet Hatixhe Cani, është 20 vjeçe dhe një nga dëshmitaret që panë me sy tmerrin e shpërthimit. Por njëkohësisht shpëtoi mrekullisht nga ajo ditë, ku i ati gjeti vdekjen, ndërsa ajo u dogj në të dy krahët. Tixhja, siç e thërrasin shkurt të afërmit e saj, u ndodh ditën e shpërthimit në fabrikë jo se ishte punonjëse, por sepse kishte shkuar të zëvendësonte të ëmën, pasi kjo e fundit disa ditë përpara shpërthimit kishte vrarë syrin nga një shpërthim baruti. E ashtu siç funksiononte rëndom me banorët, ku shpeshherë fundjavave fëmijët punonin në vend të prindërve, edhe ajo kishte shkuar të shtunën që të çmontonte disa predha, ndërkohë që e ëma bënte punët e shtëpisë njëkatëshe.

Tashmë, tetë muaj pas tragjedisë së kobshme, vajzën më të vogël të familjes Cani e gjen të ulur në oborrin e shtëpisë së kushërinjve të saj, të cilët banojnë shumë pranë njëri-tjetrit. Fisi Cani, i ardhur në Gërdec para 7 vitesh nga Martaneshi, ka pasur gjithashtu edhe numrin më të madh të pjesëtarëve që punonin në fabrikë. E ndërsa shkon t’i takosh, ata i gjen duke punuar: burrat duke bërë llaç e duke mbajtur tulla për shtëpitë e reja, ndërsa gratë duke gatuar e duke u kujdesur për fëmijët.

Deri në mesditën e datës 15 mars, shtëpia e kryefamiljarit Hysen Cani ishte një nga shtëpitë njëkatëshe të fshatit të Gërdecit, por pas marrjes së dëmshpërblimit prej 6 milionë lekësh të reja, djali i të ndjerit e ka ngritur në dy kate shtëpinë. Pikërisht në të njëjtin vend ku jetonin para shpërthimit, vendosën të rinisnin jetën nga e para. Në një bashkëbisedim me Hatixhen, kur e pyet pse rindërtimi i shtëpisë u bë në të njëjtin vend ku nisën edhe tragjeditë e familjes së saj, ajo përgjigjet: “Është disi e dhimbshme, por e kemi blerë këtë tokë”.

-Ju jeni një nga familjet që keni pasur numrin më të madh punëtorëve në fabrikën e demontimit të predhave. Fatkeqësisht, babai juaj ka humbur jetën atë ditë. Pse vendosët që të vazhdoni të jetoni akoma në këtë fshat?

“Po, është e vërtetë. Babai dhe nëna punonin aty. Po kështu edhe shumë njerëz të tjerë të fisit. Dhe tani po rindërtojmë shtëpitë pas shpërthimit”.

-Kur vendosët të rindërtonit shtëpinë?

“Pasi morën dëmshpërblimin e shtëpisë së mëparshme”.

-Disa nga banorët u ankuan pas këtyre dëmshpërblimeve që iu dhanë. Po ju jeni të kënaqur nga vlerësimi?

“Po, shtëpia së bashku me orenditë na u vlerësua në total afro 6 milionë lekë të reja”.

-Pas gjithë atyre që ndodhën, nuk e keni të vështirë që të jetoni përsëri në tokën ku babai juaj humbi jetën?

“Është e dhimbshme, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Këtë tokë e kemi blerë para 7 vitesh”. 

Jeta vazhdon... 

TIRANË - Shumë pak gjurmë të asaj dite kanë mbetur tashmë në fshatin e quajtur Gërdec. Mbase kjo është ndjesia e pamjes së parë. Mbase gjurmët e vërteta kanë ngelur në zemrat dhe mendjet e gjithkujt, ku syri i një vëzhguesi të thjeshtë nuk arrin dot të depërtojë. Por ajo që mund të thuhet me bindje të plotë sapo futesh brenda në fshat, është fakti që një garë e heshtur për rindërtimin e shtëpive ka nisur mes banorëve. Tanimë shtëpitë e thjeshta njëkatëshe, pjesa dërrmuese e së cilave përbënin zonën deri në 15 mars, po zëvendësohen dalëngadalë nga banesa të larta e me stile shumë herë më modernë nga ato të mëparshmet.

Ka shenja jete kudo. Zëra të hareshëm fëmijësh, makina që qarkullojnë lirisht, dhe zhurmat e ndërtimeve që vazhdojnë pothuajse gjatë gjithë ditës. E vetmja gërmadhë që ka ngelur akoma nga ajo ditë, është ndërtesa brenda zonës së konsideruar “e papastruar mirë nga predhat”. Ende e rrethuar me shiritin e ushtrisë që të ndalon hyrjen, tregon që aty ka ende punë për t’u bërë. Dy persona të veshur me uniformë të presin me qetësi e po shtruar të tregojnë se edhe për tre vjet të tjera do të vazhdojë pastrimi i zonës nga predhat. Ndryshe nga ditët e para kur situata ishte e nderë dhe ndihej edhe në tonin e zërit me të cilën ushtarakët të urdhëronin që mos të afroheshe, në ditët e sotme çdo gjë duket se është nën kontroll dhe asgjë s’mund të shkaktojë sërish atë katastrofë njerëzore që mori 27 jetë njerëzish e tmerroi mijëra të tjerë.

Edhe shprehjet e syve të njerëzve janë më të paqta. Tetë muaj duket se kanë shëruar një pjesë të mjaftueshme të shpresës së humbur për t’iu rikthyer normalitetit. Si të mbanin ngjitur në fytyrë një parullë me mbishkrimin “Jeta vazhdon”, ashtu të vështrojnë plot kërshëri, në pritje të pyetjeve që do t’u bësh. Vazhdon, sepse çdo ditë e më shumë, në tokën ku ata humbën qetësinë shpirtërore dhe mendore, u duhet që të rindërtojnë nga e para gjithçka që kishin arritur me mund e djersë deri mesditën e 15 marsit.

Edhe pemët duket se i kanë dhënë kurajë vetes për t’u mbajtur fort e për të mos u tharë. Kanë akoma gjelbërim, si për të thënë se kanë akoma shpresë për të qenë pjesë e pandashme e njerëzve. Edhe rrugët, edhe pse vazhdojnë të jenë të pashtruara, nuk të injektojnë më makthin se mbartin ndonjë copë predhe që mund të të plasë fytyrës nga momenti në moment.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›