E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paditet Avokati i Popullit

Blutë e Shkodrës pretendojnë se ky institucion ka prishur hetimet në zbardhjen e një vrasjeje Avokati i Popullit, Dobjani, etiketon padinë si tepër qesharake

SHKODËR - Pretendimi se ka qenë shkak për prishjen e hetimeve në një dosje të rëndësishme, detyron policinë e Shkodrës të padisë Avokatin e Popullit. Kallëzimi i penal i depozituar para dy ditësh në prokurorinë e këtij rrethi, nxit përplasjet e para mes dy institucioneve. Pas rastit të dhunës së ushtruar ndaj një 18-vjeçari vlonjat në Komisariatin e Sarandës, Dobjani duket se ka vërejtur një tjetër shkelje flagrante të të drejtave të personave që shoqërohen për t’u marrë në pyetje ose arrestohen. Këtë herë, shkelja ndaj një personi me inicialet E. A. në Komisariatin e Shkodrës, bëhet “mollë sherri” mes Dobjanit dhe bluve të Shkodrës. E ndërsa Dobjani pretendon dhunën, forcat policore të qytetit verior pretendojnë prishjen e hetimeve të një dosjeje për veprën penale të vrasjes. Ndërkohë, oficerët e policisë gjyqësore, të akuzuar nga Dobjani, mohojnë të kenë ushtruar dhunë gjatë marrjes në pyetjeje të të dhunuarit E. A.

Kallëzimi penal

Paraditen e së dielës, në organin e akuzës të Shkodrës depozitohet një kallëzim penal që kishte si paditës Drejtorinë e Policisë së qytetit dhe në rolin e të paditurit institucionin e Avokatit të Popullit. Burime zyrtare të policisë thanë se si objekt i padisë ka qenë “pengimi i hetimeve” dhe “veprime arbitrare”. Sipas kësaj padie, blutë e Shkodrës pretendojnë se Ermir Dobjani dhe komisionerët e tij kanë kryer një inspektim paraditen e së premtes së kaluar në këtë drejtori. Ndërkohë, sipas deklaratës për shtyp të kësaj policie, u tha se “veprimet e Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani dhe komisionerëve të tij që e shoqëronin gjatë një inspektimi ishin arbitrare, arrogante dhe që kanë prishur hetimet lidhur me një ngjarje të vjetër që i përkiste vitit 1997”.

Dosja e vjetër

Pika kyçe e nisjes së përplasjes mësohet të jetë rihapja e hetimeve për zbardhjen e një dosjeje të vjetër vrasjeje në qytetin e Shkodrës. Hetimet e rihapura në datën 10 shtator të këtij viti kishin si qëllimin zbardhjen e dosjes penale nr. 53, e cila ishte krijuar në vitin 1997, pas vrasjes së një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve, vrasje e kryer për motive gjakmarrjeje. Vrasja e ndodhur më 1 gusht 1997, në vendin e quajtur lagja “Liria” të qytetit, nuk pati të arrestuar në atë kohë. Në kuadër të zbardhjes së hetimeve, në datën 21 të këtij muaji, rreth orës 17:00 të pasdites, mësohet të jenë shoqëruar disa persona në komisariat, në statusin e personave që kanë dijeni për ngjarjen e 1997-ës. Në momentin që këta persona po merreshin në pyetje, Dobjani, së bashku me komisionerët, pas të dhënave që dispononin, kanë marrë në pyetje të shoqëruarit dhe më pas kanë hartuar raportin e tyre. 

Gjatë këtyre deklarimeve, personi E. A. ka ngritur pretendimin se është goditur me shpullë dhe është rrahur nga disa oficerë policie, të cilët kanë mohuar kategorikisht akuzat ndaj tyre.

 

Reagon Dobjani

Padia e policisë, qesharake

Vetëm disa orë pasi policia e Shkodrës bëri publike padinë ndaj Avokatit të Popullit për prishje të hetimeve, reagon Ermir Dobjani. Në një reagim publik, kreu i këtij institucioni e cilësoi padinë si qesharake dhe të pajustifikuar. Dobjani ka këmbëngulur në faktin se, ndaj qytetarit shkodran ishte ushtruar dhunë dhe se ai ka tashmë një raport të hollësishëm në lidhje me precedentin, raport në të cilin bëjnë pjesë edhe dëshmitë e personave të keqtrajtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›