E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si po dhunohet pafajësia

Sipas studimeve të UNICEF-Albania, një në katër fëmijë në Shqipëri është viktimë e formave më të rënda të dhunës në shtëpi dhe një në tre fëmijë është viktimë e goditjeve me objekte të ndryshme në trup në institucionet shkollore

TIRANË – Dhuna ndaj fëmijëve është një fenomen aktual dhe me përmasa shqetësuese në Shqipëri. Të abuzosh me vogëlushët, t’u tregosh atyre dhëmbët në vend të përrallave, t’u japësh kamxhikun në vend të lodrave dhe t’u mësosh dhunën në vend të librave, është një plagë që po malcohet në trupin e njomë të një brezi të ri, e cila do të kthehet në gangrenë për brezat e mëvonshëm. Kjo plagë sociale gjithnjë në rritje është një shqetësim jo i vogël për shoqërinë shqiptare, pasi rritja nën thundrën e dhunës dhe shtypjes të një brezi të ri, do të krijojë një gamë të gjerë problemesh në të ardhmen, duke na larguar gjithnjë e më shumë nga qytetërimi. Ky fenomen është i përhapur shumë në zonat rurale, por nuk kanë munguar rastet edhe në ato urbane, ku fëmijët kanë qenë pre e dhunës dhe abuzimeve të formave nga më të ndryshmet në shtëpi dhe në shkollë.

Dy ditë më parë, në Ditën Botërore Kundër Abuzimit të Fëmijëve, Koalicioni Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve në Shqipëri zhvilloi një konferencë për rritjen e sensibilizimit të institucioneve publike në lidhje me çështjen e abuzimit të fëmijëve, duke synuar përmirësimin e politikave dhe praktikave për mbrojtjen e këtyre të fundit.

Thuajse të gjithë studiuesit kanë rënë dakord se dhuna ushtrohet në mënyrë të barabartë ndaj çdo lloj moshe, ndaj për këtë arsye, në të gjithë studimet që janë bërë, dhuna nuk është ndarë në bazë të moshës. Sipas studimeve, dhuna dhe abuzimet e shumëllojshme ushtrohen zakonisht tek moshat nga 6 vjeç deri në 14 vjeç, si dhe tek fëmijët që ndjekin arsimin e detyrueshëm. Duke iu referuar studimit të UNICEF-Albania, “Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri”, ky fenomen përbën një problem madhor në vendin tonë. Sipas rezultateve të studimit më të fundit të UNICEF-Albania-s për vitin 2006, një në katër fëmijë janë viktima të formave më të rënda të dhunës në shtëpi dhe një në tre fëmijë janë viktima të goditjeve me objekte të ndryshme në trup në institucionet shkollore. Ndërkohë, gjetjet e studimit “Dhuna kundër fëmijëve në shkollë” i vitit 2007, të “Save the Children” në Shqipëri, theksojnë se dhuna fizike dhe psikologjike përdoret si mjet kryesor për disiplinimin e fëmijëve në shkolla në Shqipëri.

Format më të zakonshme të dhunës psikologjike dhe fizike të raportuara nga fëmijët janë ndëshkimi trupor dhe trajtimi i ashpër dhe degradues. Sipas koalicionit, “këto fakte dhe të tjera si këto tregojnë qartë se Shqipëria vazhdon të shkelë të drejtat e fëmijëve dhe të veprojë në kundërshtim me frymën dhe kërkesat e nenit 39 të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, ku shteti shqiptar është palë që prej vitit 1992, si dhe të nenit 54 të Kushtetutës së Shqipërisë”. Në një letër të hapur dërguar qeverisë dhe institucioneve joqeveritare në Ditën Botërore Kundër Abuzimit të Fëmijëve, koalicioni thekson se, “rritja e ndërgjegjësimit dhe e ndjeshmërisë së institucioneve qeveritare dhe joqeveritare për krijimin e një sistemi parandalues, mbrojtës, trajtues dhe ri-integrues për fëmijët viktima të abuzimit, miratimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen e fëmijëve nga keqtrajtimi, si dhe krijimi i strehëzave për mbrojtjen e fëmijëve-viktima, do të sillte përmirësimin e situatës së të drejtave të fëmijëve në Shqipëri”.

Megjithatë, dhuna ndaj fëmijëve është një fenomen që nuk haset vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Rastet e abuzimeve dhe ushtrimit të dhunës ndaj të miturve në vende të ndryshme të botës janë alarmante, dhe si pasojë e kësaj, është bërë e detyrueshme ngritja e shumë qendrave të asistencës sociale ligjore, të cilat kanë si përgjegjësi mbrojtjen e vogëlushëve nga dhuna që të rriturit ushtrojnë mbi ta. Sipas studimit të UNICEF-it, 40 milionë fëmijë në të gjithë botën vuajnë nga abuzimi dhe neglizhenca, ku një në katër vajza dhe një në nëntë djem kanë qenë të abuzuar para moshës 18 vjeç. Më shumë se 60 milionë vajza në botë kanë humbur si viktima të keqtrajtimit dhe neglizhimit, ndërkohë që tre milionë çdo vit trajtohen si objekt seksual. Rreth 180 milionë fëmijë punojnë në format më të rënda të punës dhe mbi 120 milionë të tjerë nuk kanë shkuar kurrë në shkollë, prej të cilëve 6 deri 10 milionë janë vajza.

Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri

Një në çdo dy fëmijë pranon që mbi të të përdoret dhunë në shtëpi dhe një në rreth tre fëmijë pranon që mbi të të përdoret dhunë në shkollë, në rastet kur ajo është e nevojshme.

Ashpërsia e dhunës

1- Një në dy fëmijë në familje dhe një në rreth tre fëmijë në shkollë goditen me shpullë në pjesën e kokës

2- Një në tre fëmijë shahet në shtëpi dhe një në katër në shkollë

3- Një në katër fëmijë në shtëpi dhe një në tre fëmijë në shkollë goditen me objekt në trup

4- Një në katër fëmijë në shtëpi dhe shkollë goditen me shkelm

5- Një në katër fëmijë në shkollë i vihet notë negative si ndëshkim për sjellje të keqe

1- Një në pesë fëmijë në shkollë dhe shtëpi goditen me grusht në trup

2- Një në gjashtë fëmijë kërcënohet të goditet me objekt në shtëpi dhe një në dhjetë në shkollë

3- Një në gjashtë fëmijë mbyllet në banjë në shtëpi dhe një në pesë fëmijë nxirret nga mësimi

4- Një në shtatë fëmijë në shtëpi kërcënohet se do të nxirret jashtë shtëpisë dhe një në pesëmbëdhjetë fëmijë kërcënohet se do të braktiset nga prindërit

5- Një në 13 fëmijë në shtëpi dhe një në 10 fëmijë në shkollë goditen me grusht në pjesën e kokës

Pasojat e dhunës

1- Marrje mendsh: një në 5 fëmijë në shtëpi dhe një në 6 fëmijë në shkollë

2- Të fikët: një në 14 fëmijë në shtëpi dhe një në 25 fëmijë në shkollë

3- Mavijosje: një në rreth 4 fëmijë në shtëpi dhe një në 4 fëmijë në shkollë

4- Gjakosje: një në 4 fëmijë në shtëpi dhe një në 6 fëmijë në shkollë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›