E Diel, 1 Nëntor 2026

Antologjia e poezisë shqipe në anglisht

06/12/2008  Robert Elsie

Është promovuar botimi në anglisht i antologjisë së poezisë shqipe, përgatitur për botim nga albanologu Robert Elsie.

Antologjia e parë në anglisht, e cila përfshin tërë poezinë shqiptare që prej fillimeve e deri më sot, me 277 poezi të zgjedhura të 48 poetëve.

Sipas albanologut Elsie, përkthimi në anglisht i saj është një hap i madh për njohjen e letërsisë shqipe në botën anglishtfolëse. “Poezia është pasqyrimi i shpirtit të një populli dhe në këtë rast Shqipëria ka shumë për të thënë”, -nënvizon Elsie.

I lindur në vitin 1950 në Vankuver, Kanada, Robert Elsie studioi në Universitetin Britanik të Kolumbisë, ku u diplomua në 1972 për studime gjuhësisë dhe letërsisë klasike. Në vitet e më pasme ai ndoqi studimet dhe kualifikimet e ndryshme pasuniversitare në Universitetin e Berlinit, Universitetin IV në Paris, në Institutin e Studimeve të Avancuara të Dublinit në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit, ku përfundoi doktoratën në vitin 1978 në Institutin e Gjuhësisë.

Nga viti 1978 atij iu dha mundësia të vizitonte disa herë Shqipërinë, së bashku me një grup studentësh dhe profesorësh nga Universiteti i Bonit, vizita në të cilat do të zgjohej interesi i tij për kulturën, periudhat dhe ekzotikën e këtij vendi të vogël ballkanik.

Për disa vjet me radhë ai gjithashtu ndoqi seminaret ndërkombëtare mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare mbajtur në Kosovë. Gjatë viteve 1982–1987 punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë me seli në Bon. Që nga ajo kohë ai punon si përkthyes dhe konsulent i pavarur me kryesisht për çështjet shqiptare dhe ato gjermane.

Robert Elsie është autor i një sërë librash dhe artikujsh, veçanërisht mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj.

Në vitet 2003–2004 është pjesëmarrës dhe referues (si shumë albanologë të tjerë nga Franca, Spanja, Italia, Polonia, Bullgaria, Rumania etj) në seminarin ndërkombëtar të letërsisë “Shtegtime letrare” (Exodus).

Në vitin 2004 laureohet me çmimin “Penda e argjendtë” për kontributin e dhënë prej tij në botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhën dhe vendet anglishtfolëse.

Aktualisht jeton në zonën malore të Eifel të Gjermanisë, jo shumë larg nga kufiri me Belgjikën.

Vepra të botuara: “Shqipëria dhe Kosova në ngjyra”, 1913; “Antologjia e poezisë shqipe”; “Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mali i Zi, Ohër”; Azem Shkreli, vëllimi poetik “Penda e përgjakur” (Blood of the quill); Fatos Kongoli, romani “I humburi” (The Loser); “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”, studim; “Tregime moderne shqiptare” (Modern Albanian short stories) - antologji; Gjergj Fishta, “Lahuta e Malcis” (The Highland Lute); Visar Zhiti, vëllimi poetik “Mollë e dënuar” (The condemned apple).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›