E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi taksi, pengohet kolaudimi i taksimetrit

06/12/2008  Shkak, matësat ishin pa plumbç dhe taksistët refuzuan të paguajnë tarifën 3 500 lekë

DURRES- Specialistët që kanë ardhur nga Tirana kanë refuzuar të certifikojnë matësit e rinj që janë vendosur në taksitë 4+1 dhe 8+1 pasi taksimetrat nuk kanë pasur plumbç.

Konflikti

Janë plot 156 taksi në Durrës, të cilët janë sistemuar dje në rrugën e re të Kënetës për të pritur specialistët e Tiranës me të cilët kanë nisur të konfrontohen edhe për shkak të tarifës së kërkuar për shërbimin që ata afrojnë. Fjala është për shumën në 3 500 lekë të reja që çdo taksi duhet të paguajë për llogari të grupit të specialistëve dhe kjo shumë vetëm për të marrë certifikatën. Taksistët kanë paguar për të blerë aparaturën 230 euro dhe tani do u duhet të paguajnë edhe 3500 lekë për të ndezur taksinë ndryshe ata do të penalizohen nga Policia Bashkiake dhe Policia e Qarkullimit Rrugor. Dhori Kongo, inspektor i mjeteve matëse në Tiranë, ka thënë se ata kanë në dorë vendimin e Këshillit të Bashkisë së Durrësit për taksat e reja, por duhet të zgjidhin çështjen e plumbimit, tarifës së shërbimit dhe të llojit të taksimetrit. Ka një taksë startimi që deri në dy kilometër paguhet 350 lekë dhe mbi këtë pagesë qytetari që prenoton taksinë paguan 70 lekë për km.

Tarifat

Tarifat janë të klasifikuara për zonën qytetëse dhe atë periferike, ndërsa fundjava dhe festat kanë tarifa më të larta. Deri më tani taksitë kanë vendosur çmime sipas ujdisë së shoqatës së tyre. Brenda në qytet shërbimi taksi ka marrë 500 lekë pavarësisht kilometrave të përshkuar, kurse për të shkuar në Plepa e Plazh apo Shkozet 700 lekë. Çmimet e mësipërme kanë qenë në ditë normale, ndërsa kur qytetari ka kërkuar taksi për të dërguar dikë në spital tarifa ka shkuar deri në 1000 lekë për 2 km, tarifa që kanë qenë edhe më të larta në orët e mesnatës. Vendosja e taksimetrit me detyrim u ka dhënë mundësi qytetarëve të lexojnë vet shumën që do të paguajnë sipas shërbimit në kilometër që u afrohet, ndërkohë që taksimetri do të shënojë edhe në rastet kur taksia nuk është në ecje për shkak të fluksit në rrugë dhe kjo ndikon tek xhepi i pasagjerëve. Por ndërkohë ende pa nisur nga puna taksistët janë përballur dhe me të tjera shpenzime pas një sërë të tillash. Atyre u është kërkuar dhe tarifa prej 3 500 lekësh dhe nëse nuk e paguajnë nuk do të mund të lëvizin më nëpër rrugët e Durrësit. Kjo pasi ata nuk do të pajisen me certifikatën përkatëse dhe do të gjobiten apo do tu pezullohet aktiviteti nëse pikasen nga rrugorët e Durrësit. Por kjo tarifë nuk u ka shkuar për mbarë taksistëve të cilët shprehen se kjo është një barrë e tepërt ekonomike për ta, kështu që specialistët janë rikthyer sërish në Tiranë pa përfunduar detyrën që kishn marrë përsipër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›