E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adonis Filipi sjell "Menaxheria e qelqtë" në TK

Yllka Mujo, Arben Derhemi e Monika Lubonja do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar për të sjellë komedinë e titulluar "Menaxheria e qelqtë". Regjisori Adonis Filipi ka nisur punën për të përgatitur këtë komedi me autor dramaturgun e njohur amerikan, Tenese Williams, që përcjell historinë e një familjeje amerikane nëpërmjet planit retrospektiv. Përmes kujtimeve që sjell ndër mend djali i kësaj familjeje, do të ngjitet në skenë historia e një nëne dhe dy fëmijëve të saj tashmë të rritur. Nëna e interpretuar nga aktorja Yllka Mujo, pas largimit të të shoqit është fokusuar në gjetjen e një bashkëshorti për të bijën. Në këtë moment Tomi, i sjellë në skenë nga Arben Derhemi, i risjell në vëmendje motrës së tij ish-shokun e saj të shkollës. Por zhgënjimi i vajzës, që interpretohet nga Monika Lubonja, ndodh kur ajo merr vesh se ky djalë është i fejuar. Kjo histori me rrjedhën e një telenovele do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar në datën 11 prill, nën produksionin privat të kompanisë teatrore "Art Blu".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›