PS, draft të ri për Komision Hetimor,Svoboda: Të nisë reforma
Aristir Lumezi
Partia Socialiste kërkoi dje ngritjen e një komisioni të ri hetimor, bazuar në rezolutën e fundit të Parlamentit Europian. Deputeti socialist, Taulant Balla, gjatë një deklarate për shtyp nga selia rozë tha se rezoluta e PE-së duhet të gjejë menjëherë zbatim në Parlamentin shqiptar. Rezoluta, sipas socialistëve, shpall të pavlefshëm komisionin e ngritur në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës dhe kërkon ngritjen e një komisioni të ri, ku opozita duhet të ketë shumicën dhe kryetarin. Ky Komision duhet të ketë mandat hetimor për materialet elektorale, me qëllim transparencën e procesit të 28 qershorit. “Parlamenti Europian kërkon ngritjen e një komisioni të ri hetimor, duke e bërë nul përfundimisht komisionin e Saliut. Komisioni i ri hetimor duhet të ketë rregulla të qarta, shumicë të opozitës dhe të drejtohet nga opozita. Rezoluta e Parlamentit Europian shkon edhe më tej, duke kërkuar që komisioni i ri hetimor, me shumicë dhe kryetar të opozitës, të ketë mandat për të hetuar materialet elektorale të zgjedhjeve të fundit. Pra është e qartë, se zgjidhja e krizës politike kalon vetëm përmes hetimit dhe bërjes së transparencës së zgjedhjeve të kaluara, jo për të ndryshuar rezultatin, as për të rinumëruar votat, por për të kuptuar qartë manipulimet që kanë ndodhur më 28 qershor, në mënyrë që zgjedhjet e reja të mos vdesin nga e njëjta sëmundje e zgjedhjeve të fundit”, u shpreh Balla. Duke iu referuar rezolutës së PE-së, deputeti socialist hedh poshtë pretendimet e maxhorancës për hapësirat që kërkon t’i japë opozitës në hetimin e zgjedhjeve. “Rezoluta, jo vetëm që thekson domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës, por ajo jep dhe mënyrën se si zgjidhet kriza. Zgjidhja e krizës politike, e propozuar nga Parlamenti Europian, nis me krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, të kryesuar nga opozita dhe me shumicë të anëtarëve të zgjedhur nga opozita. Ky kushtëzim i rezolutës është mjaft i rëndësishëm, pasi hedh katërcipërisht poshtë pretendimin e pushtetit të Sali Berishës, se komisioni hetimor i ngritur në Kuvend vetëm me votat e Saliut është i ngritur dhe funksional. Mashtrimi e Saliut, që pretendon t’i japë shumicën në komision opozitës, duke tërhequr kur ai dëshiron 2 anëtarë të maxhorancës nga komisioni, është një formulë e dështuar, të cilës Parlamenti Europian nuk i beson”, u shpreh Balla.
Drafti
Duket se palët janë afruar në qëndrimet e tyre, gjë që tregon se negociatat të cilat janë në zhvillime të vazhdueshme, por ende asgjë nuk bëhet publike, përveç sinjaleve mediatike që japin përfaqësues të palëve politike. Përfaqësuesit e të dy grupeve parlamentare në PE vazhdojnë negociatat me të dërguarit e tyre në Tiranë, ndërsa kërkojnë që puna të nisë me hetimin e materialeve zgjedhore, ndërsa kompromisi të vijë për çështjen e fletëve të votimit. Edi Rama shprehu gatishmërinë dy ditë më parë, duke pritur çdo sinjal nga pala tjetër, për të negociuar për këtë pikë. Dy përfaqësuesit e PS që ishin në Strasburg kanë pasur kontakte me europarlamentarë, të cilët kanë këmbëngulur në pozicionin e PS, për arritjen e një kompromisi me PD. Por mbyllja e Parlamentit më 22 korrik bën që edhe nëse palët bien dakord, komisioni hetimor të ngrihet vetëm në javën e parë të shtatorit, atëherë kur do të nisë sesioni parlamentar i dimrit.
Svoboda: Të nisë reforma zgjedhore
Aristir Lumezi
Nënkryetari i Grupit Socialist e Demokrat në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, i bëri apel Qeverisë dhe opozitës të gjejnë një rrugëdalje për të zgjidhur krizën. Në një prononcim të bërë në Dubrovnik, ai i kërkoi politikës shqiptare të krijojë komision hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, ku opozita socialiste do të ketë shumicën dhe kryetarin. Dy ditë pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian për integrimin e Shqipërisë në BE, Hanes Svoboda tha se ky është mesazhi i qartë që rezoluta përcjell: Se kriza duhet të zgjidhet sa më shpejt, e më pas të niset puna me reformën zgjedhore, mbi të cilën të mbështeten zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat “të paktën një herë të mund të quhen nga të gjitha palët, të lira, të ndershme dhe transparente. “Për parlamentarin evropian, legjislacioni i ri duhet “të bazohet tek analiza e legjislacionit të kaluar, çfarë mund dhe çfarë duhet bërë më mirë herën tjetër, në mënyrë që të ketë transparencë të plotë”. Hannes Svoboda thotë se shkuarja e PS-së në Parlament është një hap i rëndësishëm, por nuk ka mbyllur krizën. “Unë nuk mendoj se kriza ka përfunduar. Natyrisht që hapi që ka ndërmarrë Partia Socialiste, duke shkuar në Parlament për të punuar në Parlament, është një hap i rëndësishëm, por siç thotë një fjalë, duhen dy vetë për të kërcyer tango. Unë mendoj se edhe Qeveria duhet të bëjë disa hapa përpara”. Nënkryetari i Grupit Socialist e Demokrat në Parlamentin Europian, tha dje se po punon me kolegët socialë- demokratë, që të dyja palët, Qeveria dhe opozita të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, dhe jo të akuzojë njërën apo tjetrën palë.
“Këtë po ua lë ta bëjnë disa anëtarë të Parlamentit Europian nga ana e PPE, të cilët për fat të keq u angazhuan në një mbrojtje të njëanshme të Qeverisë. Unë nuk kam për të akuzuar Qeverinë. Unë po punoj me kolegët e mi nga social-demokratët që të dyja palët, Qeveria dhe opozita të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, që të ulen sëbashku, që të krijojnë këtë komision për të cilin ranë dakord, ku opozita socialiste do të ketë shumicën dhe kryetarin”, sqaroi Svoboda, duke iu referuar debatit në seancën e Parlamentit Europian, për rezolutën e Shqipërisë. Mesazhi tjetër që rezoluta e PE përcjell për Shqipërinë, komenton nënkryetari i Grupit Socialist e Demokrat në PE, është se Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat, luftën kundër korrupsionit, më shumë transparencë dhe legjislacionin që lidhet me liberalizimin e vizave. Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm Ilir Meta, takuan në Kroaci zv.presidentin e grupit socialist në Parlamentin Europian, Hannes Sëoboda, të cilin e siguruan për zbatimin e plotë të Rezolutës së Pe-së për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, “Kryeministri Berisha rikonfirmoi vullnetin për të zbatuar rezolutën, në bashkëpunim të ngushtë me opozitën, për të përshpejtuar integrimin europian”. Po sipas të njëjtit njoftim, “Berisha e falënderoi z. Sëoboda për miratimin e rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe angazhimin e grupit socialist në Parlamentin Europian, për të inkurajuar integrimin europian të Shqipërisë”.
Rezoluta
Pak ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për Shqipërinë ku inkurajohet zgjidhja e krizës politike përmes hetimit të materialeve zgjedhore nga një komision hetimor, ku opozita të ketë shumicën dhe drejtimin e tij. PE vë në dukje në rezolutën e tij se “funksionimi i plotë i institucioneve, sidomos i Parlamentit, është shtylla kurrizore e një sistemi të konsoliduar demokratik dhe (...) një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE”. Parlamenti Europian pranon përparimin e bërë në reforma, por thekson nevojën për përpjekje të mëtejshme substanciale, për të konsoliduar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Kjo duhet të përfshijë reformimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet “një sfidë e madhe politike”,