Rama shpërdoron Europën, ditën për diell
Në pikun e verës, Edi Rama guxon të mashtrojë me përfundimet e rezolutës së Parlamentit Europian, duke ngatërruar materialet zgjedhore me fletëvotimet. Por i sigurtë se mbetet në politikë vetëm nëpërmjet destabilizimit, ai përsërit se do ta vazhdojë bojkotin, pasi s’ka asnjë alternativë tjetër
Megjithëse Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë korrekte dhe shumë racionale për situatën politike në Shqipëri dhe aspiratat e integrimit, opozita shqiptare vazhdon të mos ketë qartësinë e duhur, për t’iu përgjigjur korrektësisht dokumentit të ndërkombëtarëve. Kur pritej që Edi Rama në daljen e radhës për mediat të përgëzonte ekspertët e Parlamentit Evropian dhe hartuesit e rezolutës mbi objektivitetin dhe vlerësimin pozitiv që i dhanë vendit dhe njëherazi të pranonte direktivat e kancelarive perëndimore, për zgjidhjen e ngërçit politik, ndodh e kundërta, shpërfillet verdikti i institucioneve të Bashkimit Evropian. Rama tha se bojkoti dhe mos pranimi i sugjerimeve që nuk shkojnë sipas kritereve të vendosura nga opozita, mbeten pika të panegociueshme, derisa mazhoranca të lejojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Megjithëse u ndal gjerësisht në këtë pikë, Rama bëri blofin e radhës, ashtu siç ka bërë deri më tani, teksa deklaroi se opozita do të mjaftohet dhe përmes ngritjes së komisionit hetimor, i cili të kryesohet nga opozita dhe me shumicë të këtij të fundit. Por, ajo që bie përsëri ndesh, është kërkesa për hapjen e kutive të votimit, për të cilën s’ka asnjë ligj dhe asnjë nen që e miraton. Në tërësi, mesazhi i dalë nga selia ylberiste, pak rëndësi ka nëse ka dalë nga deputetë apo nga vetë kryesocialisti i lodhur, një gjë është më shumë se e sigurt; Edi Rama ka humbur toruan dhe s’po di të konkretizojë tendencat e opozitës në kushtet kur i gjithë faktori ndërkombëtar kërkon shtrirjen e linjave të bashkëpunimit. Edi Rama tha para gazetarëve se rezoluta është një dokument i zakonshëm, që do të thotë se sipas tij s’ka shumë vlerë, mund të kalohet dhe në heshtje, të mos i kushtojë askush rëndësi. Sipas Edi Ramës, deklaratat e ndërkombëtarëve, përfaqësuesve më të nderuar të kancelarive perëndimore, s’meritojnë respekt dhe se s’duhen dëgjuar se nuk na hyjnë në punë, nuk ka interesojnë.
Selia Rozë e kthyer në oborr oborrtarësh të Shtëpisë së Pezës, shërben për funksione të rëndomta, pazare, tollovi dhe perversitete, por jo për drejtime politike dhe zgjidhje të problemeve të zakonshme të cilat kërkojnë një konsensus paraprak dhe një votë unike në Kuvend. Kësisoj, komenti i Edi Ramës se rezoluta është një draft i zakonshëm dhe se në të u flitka vetëm për kërkesat e opozitës dhe parashtrimin e tyre si të ligjshme, është domosdo frika e tmerrshme që ai po përjeton në prag të zgjedhjeve lokale. Vazhdimi i bojkotit të parlamentit dhe mos pranimi i rrugëzgjidhjes së ndërkombëtarëve, ka vetëm një përgjigje shtyrjen e zgjedhjeve lokale, ndaj të cilave Rama ka një tmerr të zi. Kjo për faktin se, në pozita politike tejet të dobësuara dhe përmes një pozicioni të lëkundshëm në Bashki, skarciteti final është gjithnjë e më i afërt. Dalja përfundimisht nga tregu, ka një kosto më shumë se të papërballueshme për këtë karikaturë politike.
Leonard Quku