Anulimi i fluturimeve, BE mbledhje urgjente
Ministrat e Transportit të Bashkimit Europian, diskutojnë sot për mundësinë e lehtësimit të kufizimeve ajrore, që kanë çuar në mbylljen e pjesës më të madhe të hapësirës ajrore europiane, për të pestën ditë radhazi, për shkak të hirit vullkanik nga Islanda.
Takimet pritet të zhvillohen në formën e video konferencës dhe do mbahen në kohën kur disa kompani ajrore po ushtrojnë presion ndaj autoriteteve për ndërmarrjen e aksionit lidhur me këtë krizë, pasi është deklaruar se kompanitë, çdo ditë, po humbasin nga 200 milionë dollarë. Autoritetet evropiane të kontrollit të aviacionit thonë se afro 80% e hapësirës ajrore evropiane, në më tepër se 20 vende, ishte e mbyllur gjatë ditës së djeshme. Për arsye të kushteve kaotike në trafikun ajror, Bashkimi Europian ka njoftuar për një mbledhje të posa㍏me për krizën, duke diskutuar në rang të ministrave të transportit. Në video-konferencë do të zhvillohen këshillime mbi veprimin e mëtejshëm, siç bëri të ditur kryesia spanjolle e BE-së në Madrid. Ndërkaq bëhet me dije se Kërkues të Qendrës Gjermane për Aeronautikë do të nisen me një avion drejt resë së hirit për të mbledhur për të parën here të dhëna të besueshme. Komisioni Evropian shpreson sipas të dhënave të veta, që këtë të hënë të mund të kryhen përsëri 50 për qind e fluturimeve në Evropë. Që prej së enjtes në mbrëmje janë anuluar më shumë se 63.000 fluturime. Burime nga BE njoftojnë se më shumë se 6.8 milionë pasagjerë janë prekur nga kjo situatë kaotike. Raportohet gjithashtu se hapësira ajrore do të qëndrojë e mbyllur, ose pjesërisht e mbyllur në më shumë se 20 vende.