E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohen bisedimet Serbia kerkoi diskutim per veriun

Anullohen bisedimet mes delegacionit serb dhe atij kosovar për cështjet teknike në Bruksel. Negociatori i bashkimit Europian Robert Kuper deklaroi se dialogu mes palëve nuk u krye pasi pala serbe nuk ishte gati për këtë raund, ku nuk do të diskutohej situata  më e fundit në pikat kufitare në veri të Kosovës, por vetëm cështjet e telekomunikacionit, energjisë elektrike, bashkëpunimit rajonal si dhe implementimit të marrëveshjeve të arritura më parë.

Vetë kryenegociatori serb, Borisllav Stefanovic, paralajmëroi një ditë më parë në Bruksel shtyrjen e bisedimeve deri në arritjen e rezultateve konkrete në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Ai fajësoi si shkaktar të dhunës në veri aksionin e njëanshëm të Prishtinës për vendosjen e doganierëve kosovarë në pikat kufitare si dhe kërkoi diskutimin e kësaj cështjeje në Bruksel, cka u kundërshtua nga pala kosovare.

Dialogu mes palëve, sikurse njofton ndërmjetësi Kuper, do të rinisë sapo pala serbe të ndihet gati për të rifilluar. Qëllimi i bisedimeve mes Kosovës e Serbise vazhdon të mbetet diskutimi i cështjeve që synojnë të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe sjelljen më afër  të vendeve ballkanike me Bashkimin Europian.

Elona Mamushi

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›