Anulohen planet për një paradë homoseksualësh të enjten
Një duzinë me aktivistë gej dhe lezbike pedaluan përmes kryeqytetit shqiptar të hënën, duke mbajtur një demonstrim të guximshëm në një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, po ku vlerat konservatore janë të rrënjosura thellë.
Aktivistët i kanë braktisur planet për një paradë të madhe të homoseksualëve të enjten, që do përkonte me Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, pasi një zëvendësministër i Mbrojtjes tha se ata duhen rrahur me shkopinj gome.
Të shoqëruar nga policia, çiklistët sapo e kishin nisur protestën e tyre në shi, kur disa të rinj të maskuar u hodhën bomba tymuese. Ato shpërthyen dhe tymi u përhap në ajër, por demonstruesit nuk u dëmtuan dhe vazhduan të pedalojnë.
Një nga aktivistët kishte mbuluar fytyrën, nga frika se familja do e njihte.
Ne ia dolëm, tha Kristi Pinderi, drejtor ekzekutiv i Pro LGBT.
Xheni Karaj, një tjetër aktiviste e të drejtave të njeriut, ngriti duart si shenjë triumfi në fund të xhiros me biçikletë.
Ne nuk jemi të frikësuar më. Mendoj se është koha që të thyejmë rrethin e frikës në të cilin kemi jetuar gjatë këtyre viteve, tha për Reuters Karaj.
Këtë javë lëvizja LGBT planifikon që të organizojë një ekspozitë fotografike dhe një takim përpara parlamentit shqiptar për të bërë presion për të drejtat e homoseksualëve dhe për të dërguar një mesazh tek ligjvënësit që e kanë quajtur grupin të sëmurë.
Njësoj si vendet e tjera të Ballkanit që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, edhe Shqipëria duhet të tregojë gatishmëri për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe ka kaluar një ligj kundër diskriminimit për shkaqe seksuale.
Por shoqëritë tradicionale konservatore në Ballkan kanë qenë të avashta në pranimin e homoseksualitetit të hapur dhe shumë aktivitete për të drejtat e homoseksualëve në Ballkan kanë përfunduar me dhunë.
