E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: Nuk rrëzoj mazhorancën, nuk bëj takim kokë më kokë me Ramën

Share

Gazmend Oketa mund të themelojë një parti të re, por kjo nuk do të thotë se ai harron premtimet e vjetra. Ashtu siç kishte deklaruar pas largimit nga grupi i PD-së, nismëtari i Frymës së Re Demokratike ka siguruar se vota e tij nuk do shërbejë për rrëzimin e mazhorancës.

Megjithatë Oketa thotë se në radhët e mazhorancës ka deputetë që do të mund t`i bashkoheshin partisë më të re të kampit të djathtë.

Është i mirëpritur çdo deputet i PD-së, por me kushtin që të pranojë moralin politik. Ne nuk po bëjmë pazare, lashë karrigen e pushtetit dhe përfaqësova një forcë që nuk bën pazare politike. Ka kolegë që ndajnë të njëjtin mendim dhe qëndrime, por vendimmarrja ju takon atyre, për të bërë reformimin e së djathtës, shtoi Oketa.

Gazmend Oketa ka zgjedhur studion e lajmeve të Ora News për t`iu përgjigjur për herë të parë ftesës që iu adresua pak kohë më parë nga kryesocialisti Edi Rama për një takim për zgjedhjen e presidentit.

Do doja të shmangim diskutimet mbi emrat, së pari duhet ndërtuar një proces. Në 2012 fatkeqësisht klasës politike shqiptare duhet ti tregojnë ndërkombëtarët se ç`hapa duhet të ndjekin. Pas 22 vitesh politika shqiptare vazhdon të funksionojë në klimë tensioni. Sbesoj që zgjedhja e tij nuk do të bëjë ndonjë kthesë të madhe në ndryshimin e situatës në vend. Kam një mungesë besimi, edhe nëse zgjidhet me konsensus do duhet një marrëveshje më e gjerë, së pari është kodi zgjedhor që do të zgjidhte një problem më të madh, për të krijuar një klimë të re. Qëndrimi i FRD do të jetë në funksion të një zgjidhje sa më konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Nuk shoh ndonjë gjë të keqe lidhur me takimet për këtë çështje, do ti përgjigjesha ftesës së Ramës nëse tryeza do të organizohej me të gjithë aktorët politikë që u është adresuar kjo ftesë, jo në takime dypalëshe. Pasi më tepër se në funksion të procesit tingëllojnë si telenovela tradicionale pazaresh politike, deklaroi Oketa.

Përballë gazetarit Patrik Sadikaj, Oketa u ndal edhe në vizionin e FRD pas zyrtarizimit të kësaj force politike. Duke iu përgjigjur zërave që lidhin Bamir Topin me FRD-në, Oketa tha se kjo parti do ti hapte dyert e saj për një politikan të kalibrit të lartë si presidenti aktual.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›