E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet Angli-Holande

Angli-Holandë nuk mund të luhet. Policia britanika ia ka bërë të qartë Federatës Angleze se në asnjë mënyrë nuk ka forca të mjaftueshme për të siguruar rendin në “Wembley” dhe rreth tij, në një kohë që trupat nuk po dalin as për të mbrojtur rrugët, njerëzit dhe pronat.

Një plumb i dalë nga një grykë pistolete policore dhe që vrau një 29-vjeçar ishte pikënisja, apo më mirë preteksti, për trazirat më të tmerrshme që kryeqyteti i Britanisë së Madhe ka njohur për dekada.

Në këtë klimë, ajo që dyshohej dhe që pritej të ndodhte, ndodhi. Skuadra kombëtare e Holandës as nuk ishte nisur fare nga atdheu i saj, në pritje të një konfirmimi që nuk erdhi. Plot 70 000 bileta ishin shitur dhe pritej të shiteshin edhe të tjerat, por policia deshi me çdo kusht evitimin e një grumbullimi kaq masiv në një kohë kur turmat janë bërë të paparashikueshme dhe të dhunshme.

Edhe ndeshja e kampionatit anglez mes Totenhemit dhe Evertonit është në dyshim, ndërsa skuadrat londineze të kategorive më të ulëta si Uest Hem, Kristal Palas dhe Çarlton i shtynë takimet që priteshin të luheshin në mesjavë për kupë.

Gjendja në Londër është jashtë çdo imagjinate normale, sidomos kur bëhet fjalë për kryeqytetin hijerëndë të një shteti me traditë 1 mijë vjeçare.
Me mijëra forca policore nuk po arrijnë dot të zotërojnë dhunën, në një nga periudhat më të zeza në histori, kur dhjetëra forca të rendit janë plagosur, qindra njerëz janë arrestuar, qindra milionë të mira materiale janë shkatërruar apo vjedhur, ndërsa banorët janë lënë në mëshirë të fatit, aq sa u janë marrë edhe rrobat e trupit. Nuk dihet cila do të jetë e ardhmja.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›