E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohen Atalanta e Doni

Federata e Futbollit e Italisë ka dënuar klubet dhe personat e përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve. Kështu Atalanta do ta nisë sezonin e ri në Serie A me minus 6 pikë, derisa kapiteni i këtij ekipi, Cristiano Doni u diskualifikua me tri vjet e gjysmë. Kurse, ish-futbollistët italianë, Signori e Paoloni u dënuan me 5 vjet moskryerje të asnjë funksioni. Këto nuk janë dënimet e vetme. Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 17:57

Atalanta ka shpëtuar mirë, pas vendimeve që mori të martën Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Italisë. Klubi nga Bergamo rrezikonte përjashtimin nga Serie A, pas përfshirjes në kurdisjet e ndeshjeve, por zikaltrit shpëtuan mirë. Ata do ta fillojnë sezonin e ri në elitën e futbollit italian me vetëm minus 6 pikë.

Ndërkohë, kapiteni i Atalantës, Cristiano Doni, po ashtu i përfshirë në baste, është diskualifikuar me tri vjet e gjysmë moslojë, që do të thotë se karriera e tij mund të përfundojë qysh tash, ngase mesfushori italian është 38 vjeç. Kurse, futbollisti tjetër i Atalantës, Thomas Manfredini, u suspendua me tri vjet.

Ndërkohë, ish-përfaqësuesi italian, Beppe Signori u dënua me 5 vjet moskryerje të asnjë funksioni në futboll, njëjtë si ish portieri i Cremoneses, Marco Paoloni. Edhe protagonistët tjerë të përfshirjes në kurdisje si Bellavista, Buffone, Erodiani, Fabbri, Gervasoni, Sommese, u dënuan me nga 5 vjet. Dënimin prej pesë vjetësh diskualifikim e evitoi Mauro Bressan, i cili u dënua me 3 vjet e gjysmë, kurse Nicola Santoni, 4.

Ascoli do ta nisë sezonin e ri në Serie B me -6 pikë, derisa Benevento, nga Lega Pro (liga e tretë) i evitoi -14 pikë dhe do ta nis sezonin me -9 sosh. E Cremonese do ta nis sezonin me -6 pikë. Kurse, Alessandria e Ravenna u përjashtuan nga Lega Pro dhe sezonin e ardhshëm do të garojnë në një kategori më të ulët.

Prokuroria e Cremonas po merret edhe me rastet tjera, që dyshohet se janë përfshirë në kurdisje të ndeshjeve, në futbollin italian. Këtu përfshihen skuadra nga Serie A, B dhe Lega Pro. Vendimet e reja do të merren javën tjetër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›