Anulohet shpallja e Haradinajt "Qytetar nderi" në Tetovë

Drejtori i Inspektoratit për Vetëqeverisje Lokale në Maqedoni ka deklaruar se ka anuluar vendimin e këshillit komunal të Tetovës për shpalljen e Ramush Haradinaj – “Qytetar Nderi i Tetovës”.
Shehtanski në një deklaratë për Kanal5 ka theksuar se ka firmosur vendimin i cili ka hyrë në fuqi dhe se do të bëhet publik gjatë ditëve të ardhshme.
Ky vendim i Shehtanskit pritet të komentohet nga autoritetet komunale të Tetovës, por edhe nga ministri i Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta, transmeton ina.
Këshilli i Tetovës shpalli komandantin e UÇK-së dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për Qytetar Nderi të Tetovës, mirëpo ky vendim ishte kontestuar nga Inspektorati i Pushtetit Lokal, për shkak se nuk ishte respektuar parimi i Badenterit, për shkak të mospjesëmarrjes në votim të këshilltarëve maqedonas. Haradinaj përmes një ceremonie zyrtare më 4 shkurt u nderua me titullin Qytetar Nderi i Tetovës./Indeksonline/