Anulohet vendimi për lokacionin e varrezave në fshatin Bërnicë e Epërme

Banorët e fshatit Bardhosh, pas 24 kërkesave të parashtruara, kanë arritur ta bindin Komunën e Prishtinës që t`ua ndërrojnë lokacionin për varreza. Hapësira, të cilën e ka caktuar paraprakisht Komuna, nga banorët është konsideruar e vogël dhe skaj rruge, shkruan Koha Ditore.
Hetem Kupina, kryetar i bashkësive lokale të shtatë fshatrave, Bardhosh i Epërm dhe i Poshtëm, Bërnicë e Epërme dhe e Poshtme, Milevc, Sinidoll dhe Trudë, ka thënë se po të mos i ishte bërë presion Komunës, asgjë nuk do të ishte ndërmarrë lidhur me këtë çështje. Ai ka akuzuar Drejtorinë e Pronës e cila, sipas tij, ka injoruar kërkesat dhe asnjëherë nuk u ka kthyer përgjigje atyre, shkruan Koha.
”Kërkesat tona janë neglizhuar dhe na kanë thënë se Drejtoria e Urbanizmit ka kërkuar që të shkohet sipas planit urbanistik, plan të tillë nuk ka as për kryeqytetin e lëre më për Bardhosh”, ka thënë ai, duke theksuar se lokacioni që u është caktuar më herët banorëve ka qenë buzë rrugës, nuk ka qenë i përshtatshëm dhe nuk ka pasur hapësirë të mjaftueshme.
”Lokacioni që ne kemi kërkuar për varreza, para 95 vjetësh ka qenë i paraparë për varreza”, ka thënë Kupina.
Ai ka bërë të ditur se ka njoftuar Komunën me kohë që lokacioni që ata kishin caktuar nuk ka qenë i duhuri.
”Kemi përdorur presion dhe nuk ua kam lëshuar derën, dhe kam pasur ndërmend që po të mos bëhej asgjë, me gjithë banorët të shkonim në Komunë”, ka thënë ai të dielën.
Ndërkohë edhe banorët e Bardhoshit janë shprehur të kënaqur që më në fund ata do të kenë lokacionin e varrezave e jo të detyrohen t`i varrosin njerëzit nëpër vende të tjera.
”Deri më tash kemi qenë të detyruar që t’i varrosim njerëzit ose në Prishtinë, ose nëpër fshatra të lindjes, apo diku këndej pari”, ka thënë Shaban Potera, banor i Bardhoshit.
”Kemi kundërshtuar menjëherë pasi kemi kuptuar se cili vend na është caktuar për varreza, për arsye se nuk ka qenë fare i përshtatshëm, por edhe pasi jemi ankuar asgjë nuk është ndërmarrë, deri tani vonë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq edhe një tjetër banore ka deklaruar se janë lodhur më me kërkesa.
”Jemi lodhur me kërkesa dhe ankesa për lokacion të papërshtatshëm, tash po presim vetëm miratimin e Kuvendit Komunal, sepse mjaft u bë më edhe për neve”, ka thënë Afërdita Paçarada.
Asdren Osaj, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, ka pohuar se
vendimi tashmë është marrë për caktimin e lokacionit për varreza.
”Tash pritet veç edhe të miratohet ai vendim, gjë që do të ndodhë në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal”, ka shtuar ai/Indeksonline/