E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e pastrimit në Deçan prej 5 muajsh pa paga

23 punëtorë të NPK “Higjiena Teknika” në Deçan prej 5 muajsh s’i kanë marrë pagat. Një nga punëtorët e kësaj ndërmarrjeje që nuk deshi t’i përmendej emri ka thënë se kjo i përcjell punëtorët prej kohësh.

“Paret po na i vonojnë nga 5-6 muaj e edhe kur po na i japin s’po na i japin krejt”, ka thënë punëtori anonim, kryefamiljar e familjes 7-anëtarëshe.

Ndërkaq mosdhënien e pagave këtyre punëtorëve shefi i tyre, Sadik Smajlaj, e ka arsyetuar me mungesë buxheti. Sipas tij, faji është te qytetarët, të cilët nuk janë të gatshëm për të bërë pagesat e shërbimeve të ndërmarrjes, raporton koha.

“Është e vërtetë se 5 muaj s’kanë marrë të ardhura, mirëpo ne si organizatë vetëfinancohemi duke bërë arkëtimin e mjeteve nga amvisëritë dhe kompanitë që kryejmë shërbime”, ka nënvizuar Smajlaj.

“Shërbimet i kryejmë rregullisht, por pagesa nuk ka, ndërsa mjetet teknike jonë vjetruar”, është shprehur Smajlaj.

Drejtori i 23 punëtorëve të papaguar 5 muaj ka premtuar se nga një pagë do ta marrin së shpejti. Ndërkaq për paralajmërimin e punëtorëve të tij se nëse s’do të ketë paga do të futen në grevë, ai shprehet të mos besoj se do të ndodhë, mirëpo, sipas tij, edhe nëse do të ndodhë ai s’ka se çfarë të bëjë.

E, Admir Hasanaj, drejtor i Mbrojtjes e Shpëtimit, është shprehur se pos borxhit, sipas tij prej rreth 10 mijë eurosh, Komuna nuk ka asnjë problem me ndërmarrjen në fjalë. “Higjiena publike” është kontraktore me Komunën për bartjen e mbeturinave për objektet publike, si edhe mirëmbajtjen e parqeve dhe pastrimin e qytetit”, ka thënë Hasanaj.

Sipas tij, Komuna ndërmarrjes për pastrim i bën pagesa nga mjetet e ndara për komunalitë. Gjithnjë sipas Hasanajt, kjo ndërmarrje këtë vit qëndron më mirë se vjet, pasi është rritur klientela në rreth 3500 vetëm në Komunën e Deçanit. Ai pos borxhit prej rreth 10 mijë eurosh, nuk sheh ndonjë përgjegjësi tjetër ndaj ndërmarrjes, pasi që sipas tij mos marrja e pagave prej 5 muajsh është problem i menaxhimit të saj.

I pyetur për gjendjen e përgjithshme të mbeturinave në këtë komunë, Hasanaj ka thënë: “Derisa nuk ka gjoba nga inspektorët komunalë, rajonalë dhe të Ministrisë së Ambientit, gjendja do të mbetet e pandryshueshme”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›