E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamente me koston e ndërtimit për familjet e pastreha

Në qytetin e Kavajës do të përfundojë brenda pak javësh një pallat me 35 apartamente dhe vlerë 138 milion lekë, të cilat do t’u shiten familjeve të pastreha me koston e ndërtimit.

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, pas inspektimit në bllokun me pallate të ndërtuara pranë godinës së spitalit të qytetit, tha për mediat e pranishme se projekti parashikon përfundimin së shpejti edhe të dy pallateve të tjera me të njëjtat karakteristika në Korçë dhe në Shkodër, apartamentet e të cilëve njëlloj si në Kavajë do të jenë në dispozicion të pushtetit vendor me vlerën e kostos prej 190 euro për metër katror.

Sipas z. Olldashi, Enti Kombëtar i Banesave do të shesë me vlerën e tregut vetëm katet e para për lokale shërbimi, duke mundësuar vazhdimin e projektit për ndërtimin e banesave të tjera për familjet e pastreha.

Më tej Olldashi shtoi se vetëm EKB-ja po përfundon paketën me 1 100 apartamente në të gjithë vendin, ndërsa nga projekti i kredive të lehtësuara përfitojnë 1 200 familje të tjera.

Deri në verën e vitit të ardhshëm pritet të sistemohen në banesat e tyre 3 776 familje të pastreha në të gjithë vendin, tha më tej Olldashi, sipas të cilit, këshillat bashkiakë dhe administratat lokale duhet të përfundojnë sipas të gjitha standardeve dhe brenda rregullave procesin e ndarjes së apartamenteve për familjet më në nevojë.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-25 18:17
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›