Apatia jonë, përgjegjësi për Shqipërinë që po bie
Bota nuk do të shkatërrohet nga ata njerëz që bëjnë keq, por nga ata që shohin pa ndërmarrë asgjë*“. Prej ca kohësh mendoj se kjo është shprehja që i shkon më shumë përshtat realitetit shqiptar. Përsa qesharake mund të tingëllojë, shtetet, vendet, qytetet mund të paralelizohen me ne njerëzit dhe sot për sot Shqipëria më ngjason me një njeri që vuan nga apatia. She më e keqja, pa forcën për t’u çuar dhe për t’u përballur me sëmundjen. Apatia përshkruhet si gjendja e dikujt që ka humbur besimin në vetvete dhe në përmbushjen e synimeve të tij dhe asnjëherë si një njeri pa të tilla. Mendoj se vendi ynë ka pikësynime. A nuk është ky vend që do medoemos anëtarësimin në BE? A nuk u brohorit i famshmi lehtësim i regjimit të vizave? Pra vendi ynë ka synime. Më duhet të zbres nga metafora e vendit të diagnostikuar me një sëmundje njerëzore dhe me keqardhje arrij në përfundimin që apatia e vendit tim nuk është gjë tjetër veçse shumatorja e apative tona. Sepse një vend është njerëzit që e bëjnë atë, kultura dhe mentaliteti i tyre. Në këtë moment më lind natyrshëm pyetja: Çfarë mund të bëjë secili nga ne për të dalë nga apatia personale dhe a mund te bëjë ndryshimin dikush i vetëm? Kura e apatisë mendoj se është individuale, për çdokënd nga ne, Por nga ana tjetër duhet të ekzistojë një vullnet i përgjithshëm për të bërë ndryshimin dhe kurimin total. Për këtë të dytën besoj se ne shqiptarët duhet të gjejmë sadopak ndjenjë komuniteti brenda vetes. Nuk dua të bie në retorikën e ngritjes popullore në protesta, por do hidhja sytë nga shtresa e mesme intelektuale dhe iniciativat e ndryshme që ajo mund të ndërmarrë. Ndryshimi nuk mund të vijë, përsa kohë secili prej nesh merret vetëm me çështje që nuk shkojnë më larg se hunda jonë, ose jo, korrigjohem, për sa kohë çështja më larg hundës sonë me të cilën merremi, është që bari i fqinjit duket më i gjelbër se yni. Atëherë e vetmja gjë që do shohim, është se si bari i keq rritet dhe na zë veshët, gojën, sytë dhe frymën. Përpara se kjo të ndodhë, vendi ynë (kupto secili nga ne) duhet të gjejë forcën të ngrihet ose ringrihet, për të disatën herë duke gjetur forcën e brendshme si ai feniksi që ringjallet nga hiri i vet. Vetëm kështu synimi ynë do të jetë një dritë shprese në fund të një tuneli dhe jo treni, që do të na përfshijë duke bërë që zvarrisja jonë të përfundojë në nje vdekje te kobshme. (*Cituar Albert Einstein)
Irena Kalimani / Studente në Drejtësi