Greqia kundërshton ofertën e BE-së në mosmarrëveshjen për emrin e Maqedonisë
BE po përfshihet më shumë në punën ndaj një zgjidhje të mosmarrëveshjes së emrit që ka kohë që zien midis Greqisë dhe Maqedonisë. Komisionari i BE-së për Zgjerimit Stefan Fyle i ftoi të dyja palët në një takim trepalësh që kishte për qëllim të ndihmonte në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit midis të dy vendeve. Ishte përpjekja e parë e drejtpërdrejtë nga Brukseli për të qenë më i përfshirë në çështjen e bisedimeve që udhëhiqen nën drejtimin e OKB-së. Ndonëse Greqia e kundërshtoi ftesën, duket se BE do të jetë së paku një vëzhguese e afërt. Stevo Pendarovski, anëtar i këshillit diplomatik të opozitës së Maqedonisë dhe ish-këshilltar presidencial, tha për SETimes se parashikon se Fyle do të "mbetet aq pranë sa të jetë e mundur në procesin e bisedimeve, por nuk do të jetë një zëvendësim për [përfaqësuesin e posaçëm të OKB-së Methju] Nimetz, as një ndihmës i dytë i procesit. Ai do të jetë një vëzhgues në kuptimin e plotë të fjalës".
Peter Stano, zëdhënësi i Fyles, tha se KE do të rrijë në ndenjësen e prapme të BE-së. "E e thamë në mënyrë të përsëritur se ky është një proces i drejtuar nga OKB," u tha Stano gazetarëve në Bruksel. "Z. Nimetz është angazhuar intensivisht në këtë dhe e mbështesim plotësisht atë". Greqia ka bllokuar anëtarësimin në OKB të Maqedonisë dhe integrimin në BE lidhur me mosmarrëveshjen për një kohë të gjatë. Greqia, e cila ka një krahinë veriore të quajtur Maqedoni, e sheh çështjen si një kërcënim ndaj territorit të saj. Maqedonisë i referohen në OKB si Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë. Fyle propozoi takimin e përbashkët me qëllim që të mbledhë më shumë informacion të hollësishëm mbi çështjen. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikola Popovski dhe Kryeministri Nikola Gruevski mbështetën publikisht planin, por Greqia ka rezistuar. "Qëllimi ynë është të ... gjejmë një zgjidhje," tha Gruevski. "Në qoftë se qëllimi i tyre është i ngjashëm, nuk duhej të shmangnin takime të tilla. Shpresoj se do të kemi më shumë takime si ky në të ardhmen, si me dhe pa ndërmjetësit". Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Greqisë Gregori Delavekuras tha se Athina nuk është kundër takimeve në parim. por vendi vetëm do të bjerë dakort me to nën kushtin se do të kishte përgatitje të mirë dhe një rezultat thelbësor. "Pala greke pret takimin e ardhshëm të përfaqësuesve të të dy palëve me Z. Nimetz në Nju Jork më 29 e 30 janar për të përcaktuar shkallën në të cilën ka shanse për përparim. Në këtë fazë nuk është çështja e një takimi të ministrave të të dy vendeve me Z. Fyle," tha Delavekuras. Ish-Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Antonio Miloshoski tha se propozimi i një takimi tre-palësh është i ngjashëm me nismën që Fyle përdori për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Kroacisë dhe Sllovenisë. "Ndonëse Kroacia ishte në një fazë të ndryshëm të pranimit në BE atëherë, do të ishim të kënaqur me një vëmendje të tillë që në dukje ka munguar vitet e fundit," tha Miloshoski. Këshilli i BE-së udhëzoi në dhjetor Komisionin Evropian që të përgatisë një raport mbi Maqedoninë dhe marrëdhëniet e saj me vendet fqinjë. Dokumenti, që pritet të përqendrohet në çështjen e emrit, do të jetë vendimtar në vendimin e Këshillit të BE-së nëse do ta lejojë Maqedoninë të nisë bisedimet e pranimit.