E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekçiu i shtetit dhe hajdutët e “pafajshëm”

Gëzim Llojdia/Mrsc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

-Fytyra e dhimbjes. Me shkulme shterpësie. Kërkojnë të vjedhin shenjtët. Shën Mërinë  o Zot! Dhe Shën Premte. Perëndi e madhe! Kërkojnë të vjedhin në banesë të shenjtë, shenjtët. T’i marrin asaj portretet dhe reliktet e saj, imazhet  e saj dhe frymën  e saj. Onufri ky piktor, ky mjeshtër i madh diku aty nga viti  1554 në kujtesë nuk do ta kishte pikëzuar mendimin nëse kaq shekuj pas tij, ne bashkëkombësit  t’ia grabisnim. T’ia këpusnin nga gjiri kishës. ǒbëhet në këtë dreq moti me dëborë dhe me  krisma vetëtimash. Natë hajdutësh . Pra c‘bëhet udhëve të kësaj ane, të dreq rrëmetit? Kush ua mori mëndtë? 

Në lartësi  e vetmuar, një kishë. Duke ëndërruar kohën e shkuar. Kjo është kisha e së Shën Premtes  në Gjinar. Në strehë  të këtij vendi të harruar, me sytë gjithë trishtim qëndron një kishë e bardhë. Dikur kanë banuar këtu njerëz të çuditshëm në fate dhe veshje. Në këtë strehë malore e kishin shkruar ata jetën e tyre. Prandaj askush nuk i shihte ata se si plakeshin. As si vdisnin. Këta nuk ishin si murgjit kinez, që vdekjes i fshiheshin duke u futur shtatë pashë nën dhe. Kisha e tyre dhe fryma e tyre kanë ruajtur në këtë strehë pranë fshatit Vlashë ekuilibrat shpirtërorë. Mirëpo për të kuptuar se ç’përfaqësonte kisha në popullatën e këtij vendi, duhet të kuptojmë thelbin e tyre të besimit. Por kjo kishë këtu ishte e ortodoksisë, që kur u nda nga papati i Romës si kisha të tjera ballkanase dhe lindore. Kisha ruante në vetvete hijen e mjegullt,që e mbështjell me misterin e që në përgjithësi ruajnë të gjithë shtëpitë e besimit. Mirëpo cilado qoftë e vërteta, unë kam besuar se banesat e Zotit, kërkojnë lartësi resh. Edhe kjo kishë në dukje i përmbahej këtyre parametrave qiellorë. Mos ndoshta ishte shenjë e komunikimit me Zotin? Kisha brenda ruante frymën e Onufrit, shpirtin e tij, gjakun, me një fjalë afresket onufriane. Në atë lartësi mes diagrameve të rrahjeve të zemrës, shqiptarët e këtyre luginave të heshtura e kishin respektuar besimin dhe fenë në përgjithësi, pavarësisht se mund të mos i përkisnin atij. Ata, nuk mund ta kapërcenin udhën, kur shenja e qytetërimeve qartazi ishte shprehur. Besimin mos e humb. Pra duke kapërcyer udhën e kishës, duke e respektuar institucionin e saj të paprekshëm deri në fund me kodin e saj. Ndonëse ata vinin nga një shkreti shpirtërore, kërkonin hapësira galaktikash për shpirtrat e tyre të vrarë e të kyçur nga regjimi, që ua ktheu jetën shpirtërisht të varfër dhe varfërisht të varfër .Të ndotur prej kësaj të fundit, të pabesët vënë dorën tek vendet shenjta. Vënë dorën edhe tek Onufri ynë. U thye edhe  Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Brenda realitetit duhet shpjeguar edhe kjo. Përse është braktisur vallë ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore? Mos shkaku është heqja e kujdestarëve dhe mosvënia e rojeve?  Lexoj në sytë e grabitësit ethen e fitimit. Po ku është bekçiu i shtetit? Gjumë-dremitja e ministrisë është e pafalshme. ǒgjuhë lexojnë grabitësit?  Në ç’gjuhë  shkruajnë grabitësit thua? Sa lehtë të grabisësh pa ditur dëmin? Nuk ka qenë  traditë,  por në mëhallën tonë dikush shkroi përmbi varrin e grabitësit: “Prehet këtu :fantazma  e…. Qefini i ngatërruar, i  ngurtësuar, i ngritur në erë. E  vërtetë. Në dimensione të kohës, përsërisim vazhdimisht shteti, shteti, shtetit…Po hajduti s’paska faj?


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›