E Diel, 1 Nëntor 2026

Apel nga greva e ish të burgosurve politikë

Autori i Lajmit: F.L GJ.N L.C K.GJ L.B P.SH
U bënë 12 ditë që ne, të burgosurit politikë, jemi në grevë urie për ato të drejta që janë më të ligjshme. Ne jemi këtu si viktima të pafajshme të një indiference fyese ndaj një shtrese e cila për dekada të tëra u masakrua nga regjimi me gjakatar i Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Ne jemi këtu për ata mijëra e mijëra njerëz që u burgosën , u pushkatuan , u rrëmbyen pronat dhe gjithshka kishin krijuar si vlera pasurore e monetare për breza të tërë nga familjet e tyre. Ne jemi këtu për ata martirë , mbi 6000 të pushkatuarit nga regjimi komunist…
Në një vend ku shteti nuk zbaton ligjet e veta demokracia ka vdekur dhe mbi kufomën e saj xhelatët hedhin vallen makabre të triumfit( Rroftë pseudodemokracia!) Në këtë vend apatia duket se po sundon gjithshka. Media që duhet të ishte pararoja e demokracisë në rolin e saj është kthyer në megafon bipolar të të njëjtit qëllim, krijuese e nje imazhi të rremë që Shqipëria është një vend demokratik. Në të vërtetë tek ne çdo njeri i ndershëm është i detyruar të hiqet zvarrë i etur për pak ligj e drejtësi, ku lejohesh nga shteti të bëhesh edhe deputet, ose milioner në dollar i licensuar, ku horrat e kriminelët jetojnë delirin e parajsës së arritur pa mund. C`kerkojmë ne të ngujuarit e kësaj greve? Përvec asaj që na takon me ligj, asgjë tjeter, por regjimi i qeverisë berishjane nëpërmjet një heshtjeje të pajustifikuar përfaqëson origjinën e atyre njerëzve që kanë ardhur në pushtet në mënyrë të pamerituar. Ne nuk po kërkojmë floririn e stërgjyshit, gjyshërve dhe baballarëve të fituar prej qindra vitesh rrugëve të kurbetit dhe me mundimin e sakrificat e tyre, as pronat e ligjshme të cilat u rrëmbyen mbas 91-it me ligjet “ demokratike” , as jetën dhe rininë e humbur nëpër burgjet e ferrit komunist, as hakmarrje për bemat dhe gjëmat e baballarëve të tyre. Ne jemi njerëz që besojmë në Zot dhe në librat e shenjtë shkruhet se kur gjysma ka gjysmën, e tëra nuk ekziston më. Ne falëm deri në dhimbje për të mos krijuar më dhimbje të tjera. Liri nuk do të thotë vetëm mungesa e prangave, por mbi të gjitha respektim i të drejtave ligjore në një shtet që pretendon se është i tillë. Ne jemi akoma të burgosur politikë, akoma armiq politikë të klasës në fuqi, vazhduese e denjë e kastës komuniste.
Në këto kushte ne i drejtohemi z. President si autoriteti më i lartë i shtetit, të kthejë vëmendjen e tij ndaj halleve dhe kërkesave tona, të angazhojë instutucionin e presidencës për zgjidhjen e problemeve që janë në jetët e mijëra e mijëra shqiptarëve .
Z. Berisha, Zoti te ndihmoftë , nëse beson vërtet në Zot të dalësh nga shurdhmemecëria jote për kërkesat tona dhe ndofta urrejtja e trashëguar. Asnjëherë në historinë e njerëzimit ndonjë ushtar nuk e ka fituar betejën kur komandanti i tij ka qenë palë me kundërshtarin! Në rastin tonë i caktuar prej tij.
Z. Ambasador! Ndihmojeni dhe vendin dhe popullin e shumëvuajtur shqiptar të dale nga anormalitetii moszbatimit të ligjeve dhe të drejtave demokratike! Rinisë shqiptare! Të dalë nga topitja dhe indiferenca për problemet që i përkasin sot së ardhmes së saj duke e ndalur veten e saj për tu kthyer në një zgjidhje problemesh! Bashkevuajtës! Mos qëndroni me të burgosur në burgun e mashtrimeve dhe gënjeshtrave qeveritare, por kërkoni me forcë të drejtat që ju japin konventat ndërkombetare për të drejtat e njeriut, ligjet e shtetit shqiptar deri tani të pazbatuara! Me respekt , grevistet e urise Te burgosurit politike
Fatmir Lamaj Gjergji Ndreca Lico Calaj Kosta Gjordeni Lirok Bejko Petrit
Shpuza

Ky lajm është publikuar: 16/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›