Apeli: Burg përjetë vrasësit të policëve
TIRANE – Merr formë të prerë vendimi për burgimin e përjetshëm ndaj Afrim Hasani, ekzekutorit të dy punonjësve të policisë në fshatin Shën Mëri të Kukësit në mars të këtij viti. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi pak ditë më parë lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga shkalla e parë në 17 dhjetor 2009, vendim që dënoi Hasanin me burgim të përjetshëm. Hasani u deklarua fajtor për “vrasjen me paramendim” të dy punonjësve të policisë Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hilaj. Togat e zeza të Apelit pasi kanë marrë në shqyrtim ankimin e bërë nga avokati mbrojtës i të pandehurit Hasani konkluduan se vendimi i shkallës së Parë nuk duhet të ndryshohej. Në seancën e verdiktit përfundimtar i pandehuri Hasani nuk ishte prezentë në sallë. Ai kishte paraqitur një deklaratë ku legjitimonte avokatin e tij për mbrojtje në mungesë. Verdikti i togave të zeza të Apelit i jep formë të prerë vendimit më burgim të përjetshëm për Hasanin. Ngjarja për të cilën Hasani duhet të qëndrojë përjetë në qeli u shënua në 23 mars të vitit 2009 në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Në këtë datë ai qëlloi me armë automatike në drejtim të dy punonjësve të policisë. Sipas Prokurorisë, ngjarja ndodhi në shenjë hakmarrjeje për dy policët, për shkak të një kallëzimi që ata kishin depozituar kundër Afrim Hasanit. Në 16 mars 2009, Hasani, person me precedentë të mëparshëm penalë shkakton dëme materiale në një lokal të zonës. Për këtë ngjarje ai u konfrontua fizikisht me policët Dobrusha dhe Hilaj dhe mundi t’u “ikë nga duart” teksa ata e kishin ndaluar në një postbllok policie. Në vijim, policët kallëzuan Hasanin dhe ushtruan një kontroll fizik në banesën e tij. Sipas Prokurorisë, në shenjë hakmarrjeje Afrim Hasani ndërmori aktin kriminal të 23 marsit, duke derdhur breshëri mbi trupat e policëve. Pas ngjarjes ai telefonoi familjarët e tij, ku pranonte krimin. ar.ba