E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre shqiptarë, kapen në Holandë e Gjermani për llogari të Italisë

 ITALI/TRENTO – Tre shqiptarë kanë rënë në pranga në Holandë dhe Gjermani për llogari të autoriteteve italiane të Drejtësisë. Mediat italiane bënë publike dje se të arrestuarit janë pjesë e një grupi kriminal shqiptarësh të përfshirë në trafikimin e drogave të rënda si heroinë dhe kokainë. Emrat e të arrestuarve nuk u bënë publike deri mbrëmjen e djeshme për shkak të sekreteve hetimore, ndërsa pritet që të vihen në pranga edhe persona të tjerë bashkëpunëtorë të të prangosurve. Pjesa tjetër e grupit, ku bënin pjesë tre të arrestuarit, është vënë në pranga në prill të vitit të kaluar në zonën e Trentos, ndërsa tre të arrestuarit e djeshëm si dhe disa persona të tjerë, tashmë të identifikuar kishin mundur të largoheshin. Hetimet për ta vazhduan në mungesë, derisa autoritetet italiane të Policisë mundën të lokalizonin vendndodhjen e tre të kërkuarve. Njëri prej tyre u kap në Holandë, ku qëndronte i fshehur prej disa muajsh, ndërsa dy të tjerë në Gjermani. Mediat italiane pohuan dje se pas prangosjes së tre shqiptarëve për llogari të drejtësisë italiane, është vënë në dijeni shteti italian, i cili duhet të përgatisë procedurat për ekstradimin e tyre në burgjet italiane, ku do u duhet të marrin pjesë në procesin e pritshëm gjyqësor në ngarkim të tyre. Po kështu gjatë kësaj kohe, sipas mediave italiane tre shqiptarët janë hetuar edhe për krime të tjera që mund të kenë kryer në territorin italian, apo nëpër vendet e ndryshme të Evropës, në të cilat kanë lëvizur të qetë, edhe pse ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Autoritet policore italiane ditët e fundit kanë vënë në pranga një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, të akuzuar për përfshirje në grupe kriminale që kanë si qëllim trafikimin e lëndëve narkotike në këtë vend, apo edhe shpërndarjen. Sipas mediave italiane, të arrestuarit kontrollonin disa linja të trafikut ndërkombëtar si dhe mjaft tregje nëpër disa prej qyteteve kryesore, sidomos në zonën e pasur në veri të vendit.                          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›