Rrëshqet toka, 24 shtëpi rrezikojnë të shemben
VLORE- Banorët e fshatit Trevllazër në Vlorë japin alarmin pasi banesat e tyre janë në prag shembje. Rreth 18 banesa kanë pësuar çarje për shkak të rrëshqitjes së një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, ndërsa 6 të tjera rrezikojnë të shemben. Fenomeni i shkarjes së dheut ka dhënë sinjalet që para tre vitesh. Vetëm në 48 orët e fundit situata ka përparuar ndjeshëm duke rrezikuar së tepërmi banorët. Në vend kanë mbërritur edhe përfaqësues të prefekturës të cilët po e ndjekin nga afër situatën në mënyrë që të evakuojnë banorët në rast se do të vijojë shembja e tokës. Janë mbi 100 banorë të kësaj zone, të cilët bëjnë apel për ndihmë emergjente. Ata shprehen se prej vitesh jetojnë me frikë në shtëpitë e tyre pasi toka vit pas viti po rrëshqet. Kreu i Komunës Novoselë u shpreh se do të nisë një studim dhe do të kërkojë transferim trojesh për këta banorë me qëllim që të kenë mundësi për ndërtim banese në një tjetër vend. q.b