E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli/ Të lëvrohet fond për memorialin

30/07/2010 Të përndjekurit politikë në protestë kundër Bashkisë

Protestuesit kërkuan të ndërpriten punimet tek ish-përmendorja

“Paralajmërojmë politikën dhe shtetin se ne nuk do të lejojmë heshtjen tuaj. Por memoriali do të jetë këtu, dhe pa kaluar mbi trupat tanë, ju politikanë nuk mund të prishni memorialin e krimit komunist”. Ky ishte apeli i ardhur dje nga të përndjekurit politikë, të cilët protestuan dje në sheshin “Skënderbej”, para vendit ku ndodhej më parë ish-monumenti i diktatorit Enver Hoxha, i rrëzuar më 20 mars të vitit 1991. Drejtuesi i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Përndjekurve, Besim Ndregjoni, i kërkoi Bashkisë së Tiranës të ndërpresë punimet pikërisht në vendin e ish-përmendores, ku sot është vendosur tabela që përmban bilancin e krimeve të komunizmit. Nga ana e tij, kryetari i Qendrës së Rehabilitimit të torturës, Adrian Kati, vuri në dukje se “vijimi i punimeve pranë vendit që të përndjekurit politikë e kanë shënjuar si vendin e kujtesës ndaj krimeve komuniste, është shenjë e mosrespektimit të kësaj shtrese të përvuajtur, që ka kontribuar në ardhjen e demokracisë në Shqipëri. Sipas tyre, në këtë vend u vendos memoriali kushtuar mijëra shqiptarëve që u masakruan nga diktatura komuniste, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet ish- komuniste, por politika ka problem që ta mbulojë këtë krim, ashtu siç bëri me deformimin e burgut të Burrelit, Spaçit, Qafë-Barit e me radhë.

Apeli

“I bëjmë me dije zotit Edi Rama të tërheqë menjëherë ekskavatorët dhe të lëvrojë fondin për ndërtimin e këtij memoriali. Ndërtimi i këtij memoriali është detyrim kombëtar për t’u kërkuar ndjesë të gjitha familjeve shqiptare që u masakruan nga ajo diktaturë. Kërkojmë nga Kryeministri lëvrimin e fondit për ndërtimin e këtij memoriali, dhe deklaratën publike se memorizimi i krimit komunist duhet të jetë prioritet i kësaj Qeverie, që ka ardhur në pushtet me votat e kësaj pjese të shoqërisë”, vlerësuan dje të përndjekurit politikë. Por njëkohësisht kërkuan nga politika të deklarohen se janë për të vërtetat historike të këtij kombi apo duan të vazhdojnë formalizmat ndaj krimit komunist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›