Vendimi, si do paguhet shtëpia e legalizuar
Qeveria miraton pagesën e shtëpive të palegalizuara, në vlerën 80%, me letra me vlerë. Pjesa tjetër paguhet me para
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka ndryshuar dje ligjin për legalizimet duke bërë të mundur pagesën në letra me vlerë të shtëpive që janë në proces. Pjesa që mund të paguhet me letra me vlerë është 80 për qind e tarifës së caktuar nga shteti.
Më shumë të privilegjuar nga ky vendim ndihen ata që kanë ndërtuar mbi zona informale, ku sipas ndryshimeve në fjalë, kanë të drejtë që për një parcelë deri në 500 metër katror, 80 për qind të vlerës ta paguajnë në këtë formë.
Ndërsa, më pak të privilegjuar janë ata që kanë bërë shtesa mbi ndërtesat ekzistuese që ndodhen brenda vijave të verdha. Këta të fundit, mund të paguajnë me letra me vlere 80 për qind të çmimit të një sipërfaqeje që shkon deri në 100 metër katror.
Favorizimi kryesor është fakti që për momentin "letrat me vlerë" shiten për pesë deri në gjashtë për qind të vlerës së tyre reale. Pra nëse një person do të duhet të paguajë një shumë prej 100 mijë lekësh, vlera reale e tyre në letra me vlerë dhe lekë është vetëm 25-26 mijë lekë.
Konkretisht, për sa i përket zonave informale, të gjithë ata që kanë zënë një parcelë ndërtimore nga 100 deri në 500 metër katror, 80 për qind të vlerës së saj do të mund ta paguajnë me letra me vlerë.
Ndërsa, ata që kanë zënë më shumë se 500 metër katror në zona informale, referuar ndryshimeve të ligjit të legalizimeve miratuar dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kanë të drejtë që 50 për qind të vlerës së tij ta paguajnë në letra me vlerë, ndërsa pjesën tjetër me çmimin e tregut.
Për sa i përket të palegalizuarve, të cilët kanë ndërtuar mbi një sipërfaqe që shkon nga 100 deri në 300 metër katror brenda vijave të verdha, iu njihet e drejta që 80 për qind të vlerës së legalizimit ta paguajnë me letra me vlerë.
Ndërsa, ata që kanë zënë një sipërfaqe mbi 300 metër katror po në këtë zonë, vetëm 50 për qind të vlerës së legalizimit kanë të drejtë ta paguajnë me letra me vlerë ndërsa pjesën tjetër në lekë, në përputhje me çmimet e tregut.
Për sa i përket legalizimit të shtesave mbi ndërtesat ekzistuese të kryera në zonat që përfshihen brenda vijave të verdha, në një sipërfaqe që shtrihet nga 50 deri në 100 metër katror, pronarët e tyre do të mund ta paguajnë me letra me vlerë 80 për qind të tarifës.
Ndërsa, ata që kanë ndërtuar në një sipërfaqe mbi 100 metër katror, kanë të drejtë që vetëm 50 për qind të saj ta paguajnë me letra me vlerë ndërsa pjesën tjetër sipas çmimit të tregut, në monedhën vendase.
Ndryshimi i mënyrës së pagesës nuk prek vetëm ata që ende nuk e kanë paguar tarifën e legalizimit por edhe ata që e kanë kryer tashmë atë. Këtyre të fundit do t'iu kompensohen paratë që kanë paguar sipas vendit ku kanë ndërtuar dhe hapësirës që kanë zënë njësoj me tarifat e sipërpërmendura.
Për të përfituar rikthimin e shumës së paguar, këta të fundit duhet që brenda një periudhe prej tre muaj e gjysmë nga dita e sotme të dorëzojnë një kërkesë me shkrim pranë zyrës së ALUIZNI-t.
Sipas ndryshimeve të fundit, bonot e përfituara nga ish-të përndjekurit politikë gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtën vlerë me letrat e tjera që gjenden në treg.
Të gjitha të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje do të transferohen në buxhetin e shtetit, në llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond për kompensimin financiar të të shpronësuarve.
Ndërtesë brenda vijave të verdha
100-300 m², 80 për qind të shumës me letra me vlerë
Mbi 300m², 50 për qind të shumës me letra me vlerë
Ndërtesë në zonë informale
100-500 m², 80 për qind të shumës me letra me vlerë
Mbi 500 m², 50 për qind të shumës me letra me vlerë
Shtesë brenda vijave të verdha
50-100 m², 80 për qind të shumës me letra me vlerë
Mbi 100 m², 50 për qind të shumës me letra me vlerë