Apeli dënon me 25 vjet Zylfie Haklajn
TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lërë në fuqi vendimin që dënon me 25 vjet burg Zylfije Haklajn për vrasjen e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit si dhe për plagosjen e Izet Dushës dhe Hysen Biberajt. Ankimimi ishte bërë nga avokati mbrojtës por gjykata ka vendosur që ai nuk është idrejtë.
Por më 17 nëntor të këtij viti, gjykata Suedeze vendosi mos pranimin e kërkesës për ekstradim të palës shqiptare, me argumentin se ekstradimi në Shqipëri i rrezikon jetën. Po kjo gjykatë, pak muaj më parë është shprehur edhe kundër ekstradimit të vëllait të madh të saj, Hamdi Haklaj ndaj të cilit gjykohet në Shqipëri për një vrasje. Sipas vendimit të togave të zeza të dy shkallëve të gjyqësorit tashmë, Zylfie Haklaj në vitin 2002, ka kryer vrasjen e dy burrave në qendër të Bajram Currit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të saj të vrarë. Mëngjesin e dy prillit Zylfije Haklaj doli nga shtëpia, e veshur me rroba të zeza dhe me një pallto të hedhur krahëve, ku poshtë saj mbante armën automatik. Me të dalë nga shtëpia, ajo është nisur në drejtim të lokalit ku kishte informacione se hasmi i familjes Haklaj, Rasim Lumneshi, po pinte kafe. Me të pikasur tavolinën ku ishte ulur “hasmi” i saj, Zylfija ka shkrepur automatikun duke lënë të vrarë në vend, Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin, ndërsa u plagosën rastësisht Izet Dusha e Hysen Biberaj.