Hetim drejtoreshës së QPZ, abuzoi në tendera
TIRANË- Dyshimet për abuzime në tender kanë detyruar prokurorinë e kryeqytetit që të nisë hetimet ndaj drejtoreshës së Qendrës së Publikimeve Zyrtare, Evelina Bekteshi. Hetimi po kryhet nga njësia e task-forcës me dyshimet se ka kryer “abuzime” me detyrën në prokurimin e tre tenderave pa negociim që kapin shifrën rreth 26 milionë lekë të reja brenda vitit 2008. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët shtuan se pas verifikimit të kallëzimit të depozituar pranë këtij institucioni vetëm pak ditë më parë nga disa shtëpi botuese, prokuroria e ka regjistruar procedimin penal dhe ka filluar hetimet e menjëhershme ndaj Bekteshit.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se organi i akuzës në verifikimet e para të kryera në lidhje me denoncimin e shtëpive botuese ka vërejtur se pranë QPZ-së janë kryer tre negociime për tender pa i publikuar njoftimet në media duke shkelur haptazi ligjin e prokurimeve publike. “Pas depozitimit të kallëzimit, zyra e njësisë së task-forcës pranë prokurorisë së Tiranës ka kryer verifikimet e para dhe ka konstatuar se drejtoria e QPZ-së ka kryer tre negociime pa shpallje, duke favorizuar dy shtëpi botuese të cilët kanë fituar tenderët me prokurime të drejtpërdrejta duke shmangur kështu tenderin e hapur dhe pa i dhënë mundësi ofertuesve të tjerë të hyjnë në negociime”,-thuhet nga prokuroria. Mësohet se dy nga këto tre negocime pa shpallje janë deklaruar edhe fituesit e tenderave për botimet e librave që nxjerr QPZ-ja që nga shtypja e Kodeve e deri tek Fletorja Zyrtare. Mësohet se kjo e fundit prej dy muajsh nuk shtypet edhe pse qeveria ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme, që janë publikuar vetëm në faqen zyrtare të internetit, që lë hapësirë edhe për ndërhyrje nga hakersat e ndryshëm dhe të ndryshojnë ligjet e miratuar. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për tre shkeljet e hasura në tre negociime pa shpallje dhe me prokurime të drejtpërdrejta që kapin shifrën e 260 milionë lekëve të vjetra. Nga verifikimet paraprake rezulton se në tre këto negociime pa shpallje janë hasur elementë të veprave penale si “shkelje të barazisë në tender” dhe “shpërdorimit të detyrës dhe kompetencave” për drejtuesen e institucionit të QPZ-së Evelina Bekteshi që ndodhet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas kallëzimit të depozituar në prokurori që tashmë ndodhet në zyrat e njësisë së task-forcës së luftës kundër krimit ekonomik, mësohet se rastet e negociimit për tender pa shpallje bëhen vetëm në rastet urgjente kur koha nuk lejon përdorimin e një procedure tjetër, kur urgjenca nuk është shkaktuar nga autoriteti kontraktor në këtë rast QPZ-ja.
Hetuesit pohuan se QPZ-ja nuk ka qenë në asnjë prej rasteve përballë emergjencës që e detyron të të kryejë prokurim të drejtpërdrejtë me negociim pa shpallje. Sipas hetimeve, mësohet se QPZ-ja e drejtuar nga drejtoresha Evelina Bekteshi ka pasur në dispozicion nga buxheti i shtetit 160 milionë lekë të vjetra për shtypjen e Fletores Zyrtare dhe botimeve të tjera të kësaj qendre dhe nuk ka hapur asnjëherë tender të hapur për të gjithë ofertuesit për vitin 2008. Një fond, prej 54 milionë lekë të vjetra janë prokuruar drejtpërdrejt me anë të procedurës së negociimit pa shpallje duke u justifikuar me urgjencën e shtypjes së Fletoreve Zyrtare, duke favorizuar vetëm dy shtëpi botuese. Më pas, po në maj të këtij viti, është proceduar edhe në një prokurim për tender pa shpallje publike duke i kaluar një fond tjetër. Ndërkohë, në korrik të këtij viti, me kërkesë të zyrës së QPZ-së drejtuar Ministrit të Drejtësisë dhe ky i fundit qeverisë, këshilli i ministrave ka lëshuar nga fondi rezervë një fond prej 100 milionë lekë të vjetra, të cilat po procedohen sërish me prokurim të drejtpërdrejtë pa shpallje.
SHKELJET E DYSHUARA
1. Shkelja e ligjit për Prokurime Publike me tre prokurime të drejtpërdrejta
2. Ndarja e fondeve me qëllim përfitimi dhe mënjanimi i procedurës së hapur të tenderimit në kundërshtim me nenin 28 pika 2 të ligjit për Prokurime Publike
3. Mos hapja asnjëherë e tenderit të hapur për gjatë vitit 2008
4. Shkelja e barazisë në tender duke fituar gjithmonë të njëjtat shtëpi botuese në prokurim të drejtpërdrejt
5. Shpërdorim të detyrës, duke shfrytëzuar pozitën e drejtores së Qendrës së Publikimeve Zyrtare duke mos hapur asnjëherë tender të hapur dhe favorizuar disa shtëpi botuese