Borxhi i pashlyer, të rinjtë marrin peng shokun
TIRANË- Një borxh i pashlyer duket se ka detyruar dy të rinj të marrin peng shokun e tyre. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Tiranë kur Ismail A. dhe Andi C, të moshës 20-vjeç kanë marrë në një automjet shokun e tyre E.K, duke e kërcënuar për rreth dy orë dhe më pas e kanë lëshuar. Ngjarja është denoncuar nga i cili mbërriti në ambientet e komisariatit nr.2, fill pasi u la i lirë nga dy të rinjtë. Specialistët e seksionit të luftës kundër rrëmbimit të personit të sinjalizuar për ngjarjen nisen menjëherë hetimet për të kapur autorët si dhe për të sqaruar shkaqet e pengmarrjes. Burime nga policia thanë se tre të rinjtë kishin qenë shokë më parë. Pak kohë më parë djali me iniciale E.K, i kishte kërkuar një shumë parash borxh njërit prej shokëve të tij duke i thënë se do t’ia kthente sërish. Ata kishin vendosur edhe një afat për kthimin e borxhit, por duket se një gjë e tillë nuk është respektuar nga E.K. Ky i fundit nuk e ka kthyer borxhin edhe pasi shokët e tij i kanë kërkuar paratë. Sipas dëshmisë së dy të rinjve dhënë në polici, djali i mashtronte duke u thënë se do t’ua jepte por më pas nuk u dilte në takim. Menjëherë pasi kanë konstatuar se paratë nuk do t’iu ktheheshin dy djemtë Ismail A, dhe Andi C, gjetën ish-shokun e tyre dhe e morën me forcë në një automjet duke e mbajtur për rreth dy orë. Pasi e kanë kërcënuar ata e lanë të lirë. “Pengu” lajmëroi menjëherë policinë e cila u vu në lëvizje për të kryer kapjen e dy të rinjve. Burime nga policia thanë se dy autorët u shoqëruan në polici ku dhe u morën në pyetje. Pasi dhanë deklaratën ata u lanë të lirë ndërsa policia ka nisur ndaj tyre procedimin penale për veprën penale të “heqjes së lirisë”.