E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Bullgari, kërkohet finalizimi i AMBO-s

Projekti i naftësjellësit, “AMBO”, dhe “Korridori 8”, kanë qenë ndër çështjet kryesore të diskutuara dje, mes Presidentit Bamir Topi, dhe homologut bullgar, Georgi Parvanov. Presidenti bullgar vizitoi dje Shqipërinë, me ftesë të Presidentit shqiptar. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Topi tha se në bisedë ështëritheksuar domosdoshmëria e realizimit të projektit “AMBO”, për çështjet e gazit, për çështjet e naftës. “Kemi vlerësuar të gjitha raportet politike, jo vetëm bilaterale, por edhe ato rajonale dhe kemi pasur të njëjtin qëndrim që, këto raporte të mira politike, kërkojnë domosdoshmërisht intensifikimin e marrëdhënieve politike. Ka shumë deklarata optimiste që bën politika. Edhe sot, ne vazhdojmë këto deklarata me vullnetin e mirë politik, por ka nevojë më shumë për konkretizime. Bota praktike kërkon konkretizim të projekteve reale, sa më shpejt që të jetë e mundur”, - tha Presidenti Topi. Në kuadër të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, Topi vlerësoi mbështetjen e Bullgarisë për “Korridorin 8”, duke e parë realizimin e tij si një vepër mjaft të rëndësishme dhe pozitive për të dy vendet, gjithashtu, në përgjigje të pyetjes së bërë edhe nga media, të dy presidentët pranuan se vendet do të marrin përsipër edhe angazhimet që rrjedhin nga ky projekt. Çështje mjaft me rëndësi që është diskutuar midis dy presidentëve, ishte edhe ajo e energjisë. “Presidenti Parvanov është bërë iniciator i një samiti ballkanik, që do të realizohet në muajin prill të vitit që vjen, në Sofje, ku ne kemi konfirmuar pjesëmarrjen dhe që do të jemi kontribues me diskutimet, për zgjidhjen e një problemi që është rajonal, pse jo, edhe evropian”, - theksoi Presidenti shqiptar. Në fund të fjalës së tyre, Presidenti Topi dhe ai Parvanov, mbështetën idenë se, niveli i lartë i dialogut politik, kërkon domosdoshmërisht rritjen e shkëmbimeve ekonomike, të cilat, për fat të keq, deri më sot nuk janë në nivelin e kërkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›