E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i Benediktit XVI: Të mbështetet zhvillimi bujqësor për të çrrënjosur varfërinë dhe urinë

Çrrënjosja e varfërisë dhe e urisë në botë nuk është utopi, por detyrim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Kështu tha Papa Benedikti XVI dje paradite, në audiencën me drejtuesit e Fondit ndërkombëtar për zhvillimin bujqësor (IFAD). Organizata e OKB-së feston 30 vjetorin. Ati i Shenjtë u ndal veçanërisht në krizën ekonomike botërore dhe në rolin e IFAD-it për të gjetur strategji të reja afatgjata, të afta t’i bëjnë ballë pasigurisë ushqimore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve. Është e nevojshme që vendet e pasura të bashkëpunojnë me vendet e varfëra, theksoi Papa Racinger. Është e nevojshme që të krijohen mundësi të reja pune brenda bashkësive fshatare, në mënyrë që ato të bëhen gjithnjë e më të pavarura nga fondet e jashtme. Benedikti XVI përmendi veçanërisht projektet e “kreditit rural”, që kanë për qëllim të ndihmojnë bujqit e vegjël dhe fshatarët pa tokë: “Këto projekte ndihmojnë gjithashtu bashkësitë e vendit për t’u zhvilluar në tokën e tyre dhe për të jetuar në harmoni me kulturën e tyre tradicionale, në vend që të detyrohen të emigrojnë për të kërkuar punë në qytete të superpopulluara, plot probleme shoqërore, ku shpesh duhet të durojnë kushte jetese shumë të këqija”. Organizatat joqeveritare, nënvizoi Ati i Shenjtë, mund të japin një kontribut të çmuar për përmirësimin e gjendjes. Disa prej tyre janë të lidhura ngushtë me Kishën Katolike e impenjohen në zbatimin e doktrinës shoqërore të saj. Ndër parimet themelore të kësaj doktrine është ai i ndihmës, sipas së cilës “çdo grup i shoqërisë është i lirë të japë kontributin e vet për të mirën e të gjithëve”: “Tepër shpesh, fshatarëve të vendeve në zhvillim u mohohet kjo mundësi, kur puna e tyre shfrytëzohet me grykësi dhe prodhimi dërgohet në tregje të largëta, me pak ose aspak përfitim për bashkësinë lokale”.
Një shoqëri vërtet njerëzore, vazhdoi Papa, do të dijë si ta çmojë dhe ta shpërblejë ndihmën për sektorin bujqësor, i cili nëse mbështetet, i ka të gjitha mundësitë për ta nxjerrë një komb nga varfëria dhe për ta zhvilluar atë më tej. Është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh në familjen njerëzore, për të garantuar shfrytëzimin e barabartë të pasurive të Tokës, sot e në të ardhmen: “Motivi për ta bërë këtë vjen nga dashuria: dashuria për të varfërit, dashuria që nuk mund të tolerojë padrejtësinë dhe privimet, dashuri që nuk është në paqe derisa varfëria e uria të mos zhduken nga jeta e njerëzimit. Objektivi për të çrrënjosur varfërinë ekstreme dhe urinë, ashtu si edhe promovimi i sigurisë ushqimore dhe i zhvillimit të fshatit, larg së qeni tepër ambicioz apo jo real, bëhet, në këtë kontekst, një imperativ i detyrueshëm për krejt bashkësinë ndërkombëtare”.
Benedikti XVI i drejtohet Komisionit Papnor për Amerikën Latine/Seminaristët duhet të bëhen meshtarë vetëm nëse kanë vullnet e dëshirë të jenë dishepuj të vërtetë dhe misionarë të Jezu Krishtit. Kjo është këshilla që Benedikti XVI u dha dje paradite pjesëmarrësve të Asamblesë së përgjithshme të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, të cilët i priti në Vatikan. Në seminare, edukatorët e profesorët, shtoi Papa, duhet të dallohen për aftësinë e tyre akademike e për besnikërinë ndaj Kishës. “Sot më tepër se kurrë, është e nevojshme që seminaristët, me prirje të drejtë shpirtërore e pa asnjë interes tjetër, të kenë dëshirë të bëhen meshtarë për të qenë dishepuj të vërtetë e misionarë të Jezu Krishtit, të aftë, në bashkim me ipeshkvijtë, ta bëjnë të pranishëm Krishtin në ministerin dhe në dëshminë e tyre të jetës”. Pikërisht, gjatë kohës së seminarit, vazhdoi Papa, të forcohet tek seminaristët dëshira për t’u rrënjosur gjithnjë e më thellë në Krishtin: Prandaj, është me rëndësi shumë të madhe të kihet kujdes për formimin e tyre njerëzor, shpirtëroro-intelektual e baritor, si edhe të zgjidhen mirë edukatorët e profesorët e tyre, të cilët duhet të dallohen për aftësitë e tyre akademike, për frymën meshtarake dhe besnikërinë ndaj Kishës, në mënyrë që t’i përgatisin të rinjtë për atë që ka nevojë e që pret prej barinjve të tij, populli i Zotit”. Komisioni Papnor për Amerikën Latine është themeluar në vitin 1958 nga Papa Piu XII me qëllim që të forcojë veprimtarinë baritore të Kishës në atë kontinent.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›