E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Shqipëria, vendi surprizë në ekonominë botërore


Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e dhjeta në botë, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike për vitin 2009. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu, theksoi sot se vendi ynë është një surprizë në ekonominë botërore. Zonja Bregu komentoi një shkrim të botuar dy ditë më parë nga Instituti Ndërkombetar Global Insight. "Siç edhe jeni vënë në dijeni ky eshte rezulati i dalë pak ditë më para nga Instituti Ndërkombetar Global Insight, ndër më prestigjozët në botë, i mirënjohur për eksperiencën e tij ndërkombëtare 40 vjeçare në fushën e analizës, informimit e parashikimit ekonomik, financiar e politik të 204 vendeve të botës" tha sot zëdhësja e qeverise.


Pjesë nga deklarata e e sotme e zonjës Bregu:


Në këtë përfundim të tillë paralelisht me Global Insight kanë dalë edhe një serë  institutesh e organizmash të tjerë ndërkombëtare si Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Departamenti Ekonomik e Social i Kombeve të Bashkuara, “The Economist”, seksioni Intelligence Unit dhe Instituti Vienez për Studime Ndërkombëtare Ekonomike. I ardhur vetëm pak kohë pas vlerësimeve të Bankës Botërore, e cila e shpalli Shqipërinë si vendin e dytë në botë për zhvillimin ekonomik dhe  të Trasparency International që e renditi Shqipërinë të dhjetën në botë për luftën kundër korrupsionit, ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërrmara nga qeveria shqiptare, që në krye të mandatit të saj. 


Duke komentuar raportin e Global Insight, shtypi botëror  shprehet se: “Në Tiranë flamuri kombëtar mund të valëvitet i qetë. Shqipëria është vendi me ekonomi të shëndoshë e rritjen ekonomike më të madhe në Evropë për vitin 2009”. E në mënyrë figurative Shqipëria cilësohet si: “Nxënësi më i mirë i klasës në Evropë për vitin 2009 në fushën e rritjes ekonomike”. Eshtë e rëndsishme për t’u theksuar se kjo rritje ekonomike e Shqipërisë nuk ka ardhur  si rezultat i vlerësimit të ndonjë malli të rrallë e specifik si nafta apo gazi në tregun botëror, (sic ka ndodhur me Turkmenistanit që bën pjesë në 10-she), por  ka ardhur  tërësisht si rrjedhojë e rezultat i politikave të suksesshme ekonomike të qeverisë shqiptare.Për ne, në një kohë kur e gjithë bota është e prekur nga kriza ekonomike, lajmi se Shqipëria  shënon rritjen  ekonomike më të madhe në Evropë, dëshmon edhe një herë: Se Shqipëria është vendi surprizë në ekonominë botërore, me demokraci të maturuar,  liri tregu të kombinuar me reforma ambicioze, inflacion të ulët dhe stabilitet makro-ekonomik.Përfundimi i Global Insight, Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Departamentit Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara, “The Economist”, seksionit Intelligence Unit dhe Institutit Vienez per Studime Nderkombëtare Ekonomike, konfirmon lajmin e mirë se Shqipëria  është shkëputur përfundimisht nga imazhi i keq i vendit  të  prapambetur,  i vendit që sjell vetëm probleme, duke përcjellë tashmë imazhin real të një vendi në zhvillim.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›