E Martë, 3 Nëntor 2026

Komisionerja Kos: Reforma në drejtësi gur themeli, procesi i integrimit projekt i gjithë shoqërisë shqiptare

TIRANË, 13 mars/ ATSH/ Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos tha sot se fokusi i Shqipërisë duhet të jetë tek zbatimi i reformave.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Komisionerja Kos theksoi se “ne të gjithë e dimë që fokusi duhet të jetë zbatimi i reformave, të cilat janë miratuar, por edhe tek përshpejtimi i konfirmimit të të gjithë reformave të tjera dhe në mënyrë të veçantë tek reforma në drejtësi, të cilën e mbështes vetë sepse është edhe gur themeli i procesit të integrimit evropian”.

“Ecuria për grup-kapitullin themelor është shumë e rëndësishme sepse me atë u hapën negociatat me atë do të përmbyllen kështu që me atë do të përcaktohet edhe ritmi i negociatave”, tha Kos.

Ne të dy, vijoi Kos, nuk jemi thjesht pasionantë për Evropën, por jemi edhe të fokusuar dhe të orientuar drejt objektivave, që do të thotë se ne e dimë se çfarë duhet të arrijmë për të sjellë rezultate.

“Ne do t’i japim këto rezultate edhe nëse vetë qytetarët shqiptarë do ta mbështesin tërësisht të gjithë këtë punë që ne po bëjmë. Për mendimin tim, është shumë e rëndësishme që procesi i anëtarësimit në BE të jetë një projekt i gjithë shoqërisë shqiptare. Pra jo thjesht vetëm se çfarë po bëni ju, qeveria, apo çfarë po bën Kuvendi. Por që të përfshihet shoqëria civile, organizatat e ndryshme OJQ, por të përfshihet çdo qytet, fshat, rajon dhe që qytetarët ta kuptojnë pse është e rëndësishme kjo gjë, ky proces dhe pse Shqipëria do të bëhet shtet anëtar”, nënvizoi Kos.

Komisionerja për Zgjerimin në BE, u shpreh se “kjo është më shumë detyra juaj”.

“Detyra ime edhe angazhimi është që unë duhet të marr masa, të kujdesem që Shqipëria të njihet akoma më shumë në shtetet anëtare të BE-së dhe për këtë arsye do të fillojmë një fushatë komunikimi me anë të së cilës do të tregojmë se përse Shqipëria do të bëhet jo vetëm shtet anëtar i BE-së, por çfarë vlere të shtuar do t’i sjellë Shqipëria Bashkimit Evropian nëse ju bëheni pjesë e familjes sonë”, tha Kos.

“Në këtë aspekt së shpejti do të kemi një sondazh për zgjerimin si po ecën zgjerimi, cili është perceptimi për zgjerimin në Shqipëri dhe në bazë të gjetjeve do të ndërtojmë një fushatë. Shpresoj që të vijnë sa më shumë gazetarë të evropianë në Shqipëri për ta parë atë nga afër, për të parë se çfarë ndodh këtu, jetën në Shqipëri”, tha Kos.

/vijon/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›