E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Nanos Mazhoranca dhe opozita mos humbasin shansin ne raundin e trete

Lideri historik i së majtës shqiptare, ish-kryeministri Fatos Nano, ka vlerësuar takimin mes krerëve të dy partive më të mëdha në vend, kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama. Në një deklaratë të shpërndarë nga Lëvizja Nano për President, thuhet pas konsumimit të raundit të dytë për zgjedhjen e kreut të shtetit, apelohet që mazhoranca dhe opozita të mos humbasin shansin në raundin e tretë të votimit për President.
Në këtë aspekt, zoti Nano sugjeron që krerët e dy partive kryesore në vend të vijojnë negociatat transparente e qëllimlarta me njëri-tjetrin e të tjerët për të mbërritur në produktin më të mirë, duke zgjedhur Presidentin më të mirë për shqiptarët. Po ashtu, Nano shprehet se nuk duhet që axhendat politike partiake, të mos lejojnë lojërat meskine për pushtet, planet e projektet për ekulibra të politikës së ditës qeverisëse apo opozitare, apo në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013, te erresojne rëndësinë parësore që ka zgjedhja e Presidentit të Republikës. Në këtë frymë, zoti Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të bëhet garant i kushtetutës dhe i përmbushjes së të gjitha reformave. Kandidati për Presidenti, kërkon nga liderët politikë që të mos fetishizojnë konsensusin, sikurse u fetishizua derimësot proçesi, pasi siç thotë ai President Republike do të zgjidhet emri dhe personi konkret. Sipas ish-kryeministrit Nano, një kandidat i përbashkët për Presidenti, do të dëshmonte pjekurinë e klasës politike shqiptare, por edhe dakordësimi e mirëbesimi për një garë të lirë e të ndershme do të dëshmonte pjekurinë e demokracisë shqiptare. Zoti Nano shprehet kritik ndaj lëvizjeve politike të kryesocialistit Edi Rama. Në deklaratën e Lëvizjes Nano për President, thuhet se Fatos Nano ndonëse i lënduar dhe mosaprovues nga ngurrimi i Edi Ramës për ta mbështetur politikisht dhe me firma deri tani emrin e tij në mundësinë për të Kandiduar për President, shprehet mirëbesues deri në përfundim të proçesit, dhe e inkurajon Edi Ramën që të jetë vijë e hapur komunikimi. Për pasojë, Nano e fton Edi Ramën që të mos i shmanget garës dhe konkurimit me maxhorancën, me emra dhe vlera më të mira e më përfaqësuese, si edhe e këshillon që të mos e përjetojë të qenurit në pakicë si gjendje mentale dhe psikologjike pamundësie, por si gjendje politike shansesh dhe mundësie për kontrubite dhe rritje.
Njëkohësisht Fatos Nano shpreh mirëbesimin dhe fton Kryeministrin Berisha që të mos shohë e as interpretojë tek Fatos Nano një instrument politik aktiv, por një politikan parësor e të sprovuar, një shtetar që ka shërbyer për shumë herë e vite në Krye të Qeverisë, një protagonist për shkak të rolit dhe modelit politik që ka përfaqësuar, duke iu dedikuar të përbashkëtës.
Në këtë deklaratë, kandidati për president, shpreh falenderimin ndaj të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, për misionin e tyre mjaft të çmuar dhe qëllimmirë ndaj Shqipërisë, tejkalimit te krizës e ngërçit politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›