E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Nanos dhe “Avokati” i çmendurive të Ramës

Baza e Partisë Socialiste dhe e partive të tjera opozitare duket se i kanë injoruar thirrjet ekstremiste të liderëve të tyre për të bojkotuar jetën parlamentare dhe për të nxitur tensionet politike në vendin tonë. Shembulli i parë në këtë drejtim u dha në protestën e parë të Partisë Socialiste në kryeqytet për “hapjen e kutive të votimit”, ku megjithë masat e marra dhe paret e paguara për t’i sjellë protestuesit nga të gjitha anët e Shqipërisë me autobusa në Tiranë, përsëri nuk u arrit të grumbulloheshin më shumë se 2 mijë vetë. Në protestën e radhës, me të njëjtën tematike, që u zhvillua në Berat, dështimi ishte edhe më i dukshëm, për të mbërritur tek protesta e Shkodrës, ku nuk u arrit të mbushej as pallati i sportit të këtij qyteti. Protesta e fundit e kësaj natyre ishte ajo që u zhvillua para pak ditësh në qytetin e Lushnjës, ku pjesmarrja e ulët u futi “trefazorin” në kokë Ramës, Ngjelës dhe Gjinushit, të cilëve u doli vetja nga kontrolli dhe kanë thënë marrëzi të padëgjuara ndonjëherë lidhur me sjelljen politike të opozitës në të ardhmen. Avokati dhe aleati më më i ri i Partisë Socialiste, Spartak Ngjela, që nuk e ka për herë të parë të flas pa menduar tha: “Në qoftë se nuk hapen kutitë e votimit deri më 20 nëntor, mos i hapni më se ne e kemi bërë punën tonë: Me forcë”. Ky zotëri është edhe kryetar i Partisë Ligj e Drejtësi, paçka se pa anëtarësi, ndaj shumë qytetarë janë ndjerë të shokuar kur kanë dëgjuar shprehje të tilla ultimative për rrëzimin e rendit kushtetues në Shqipëri, siç ndodhi në ngjarjet makabre të ’97-ës. Edhe Gjinushi që ka një histori kompromentuese në këtë drejtim, për shkak të së cilës mori dhe nofkën “Caushi” i politikës shqiptare në këto ngjarje, u tregua më i rezervuar dhe në vend të thirrjeve luftënxitëse thuri parodi neveristëse, për t’u bërë më interesant dhe më popullor në protestën e Lushnjës, duke i etiketuar kryeministrin dhe zv/kryeministrin e qeverisë “Berisha 2” si, “…Sali shejtani dhe Ilir pelivani”. Sidoqoftë artikulimet “Che Guevariane” të Ngjelës tregojnë, se sa të paligjshme dhe të paargumentuara janë kërkesat e lidershpit opozitar për hapjen e kutive të votimit, që janë hapur, numëruar e rinumëruar si asnjëherë tjetër më parë në këto 19 vjet tranzicion. Megjithatë mbetet për t’u parë nëse kjo thënie është gatuar në të njëjtën kuzhinë mendore të Ngjelës me joshjet idioteske të tij ndaj “popullit të majtë” të bëra në Shkodër, sipas të cilit: “Në qoftë se dilni të gjithë në protestë dhe sot hapim kutitë, për shtatë ditë të gjithë mund të shkojmë në Europë pa viza. Për tre muaj Shqipëria bëhet anëtare e BE-së”. Ky është një premtim i tipit marksist-leninist, për parajsën qiellore që i priste njerëzit, pas vendosjes së pushtetit komunist. Siç dihet, motoja e liderëve të komunizmit shqiptar në përfundim të luftës së Dytë Botërore ishte: “Do të hamë me lugë floriri”, por njerëzit pesë dekada rresht hëngrën me lugë të ndryshkura, dhe sot u mbushet trupi me mornica kur e kujtojnë atë kohë. Këto artikulime nuk i shkojnë t’i bëjë as një i çmendur, jo më një njeri normal, madje ca më tej, një politikan “anglosakson”, që gjithnjë me prapanicë flet e kuvendon. Por më shumë se sa nga papërgjegjshmëria mendore, shprehje dhe premtime të tilla burojnë nga ankthi i dështimit të lëvizjes politike, e cila nuk ka shkaqe të përligjura për t’u finalizuar. Tashmë nuk ka pikë dyshimi, se shkaku kryesor që po e çmend lidershipin e opozitës në këtë dështim spektakolar është kriza e mosmbështetjes dhe mospërkrahjes edhe nga të vetët, që më shumë se sa funksionarë partiakë apo deputetë janë anëtarë dhe simpatizantë të thjeshtë të Partisë Socialiste dhe partive të tjera opozitare. Në këto kushte, treshja e këtij lidershipi e përbërë nga; Rama, Ngjela e Gjinushi, të cilat një miku im i krahasonte me një organizëm të vetëm, ku “i Gjati” mbështetet dhe stimulohet në të dy krahët nga “Avokati” dhe “Aleati”, është në krizë mosfunksionimi apo impotence politike. Dhe siç dihet, në raste të tilla, mendjet perverse kërkojnë ngushëllim tek veprimet përçudnuese e përdhunuese, që në rastin e ushtrimit të funksioneve publike kërcënojnë jo më një apo disa njerëz, por dhjetëra e mijëra të tillë. Qëllimi i tyre i mbrapsht, në këto raste, është shpërndarja e fatkeqësisë në sa më shumë individë, kuptohet në mënyrë hileqare, duke ia faturuar autorsinë kundërshtarit apo armikut të tyre, në mënyrë që hallexhinjtë të konfliktohen me këta të fundit. Por deri tani kanë dështuar plotësisht, pasi qytetarët shqiptarë janë emanipuar në mënyrë demokratike dhe kanë nxjerrë mësime nga ngjarjet e hidhura, që kanë patur një histori të ngjajshme zhvillimi në vitet e mëparshme, sidomos në ’97-ën. Të ndodhur në një situatë të tillë braktisjeje dhe përçmimi, lidershipi i opozitës ka hedhur në veprim strategjinë e mostërheqjes nga rruga e nisur, deri në mposhtjen fizike të kundërshtarit, pasi sipas Ramës “atje ku vidhet vota dhe prona, lihet koka”. Kështu mësohet t’u ketë thënë lideri socialist disa banorëve të Orikumit, me të cilët po luan skenarët më të flliqur të shpifjes dhe qëndrimit antiqeveritar, deri më sot.
Siç dihet, kohët e fundit, lidershipi opozitar dhe mediat merecenare në shërbim të tyre, ku mbi të gjithë shquhet “Gazeta Shqiptare”, kanë filluar një fushatë të gjerë shpifjesh dhe denigrimesh ndaj qeverisë shqiptare, për të mbushur vakumin e argumentave politik të vazhdimit të bojkotit, ndërkohë që argumenti i “hapjes së kutive” të 28 qershorit dhe rinumërimit të votave në disa zona zgjedhore u diskretitua totalisht, brenda dhe jashtë vendit, si i padrejtë dhe i paligjshëm. Shpifja e parë, e fabrikuar në këtë drejtim ishte ajo e shitjes së hapësirave tona ujore, Greqisë, gjatë ndarjes së kufijve detar midis këtyre dy shteteve. Përveç mercenarëve mediatikë në këtë sipërmarrje përbaltëse u thirrën edhe ushtarakë qejfmbetur nga reformat demokratike apo “ekpertë të tjerë të pavarur”. Ç’nuk u tha në këtë drejtim, por nuk kaloi shumë kohë, dhe gjithëçka u sqarua me fakte, ku rezultoi dhe gjithçka e thënë nga opozita dhe media pro saj ishte vetëm shpifje dhe trillim i mendjeve të mbrapshta të këtij vendi. Madje kjo ofensivë “antigreke” ndodhte në një kohë që Papandreu, i rikthyer  në krye të qeverisë helene i ofronte mbështetje politike Edi Ramës, megjithëse ishte plotësisht i bindur në aventurzimin e tij të radhës. Por më shumë se sa një frymë antigreke, ky ishte një qëndrim antishqiptar, për të goditur imazhin dhe besueshëmrinë e qeverisë “Berisha 2”, që po e integron me shpejtësi vendin tonë në Bashkim Europian, pas anëtarësimit spektakolar të tij në NATO. Pastaj u kalua në një shpifje dhe akuzë tjetër false, siç ishte ajo e ngjarjes së Orikumit. Protagonistët ishin përsëri të njëjtit; Edi Rama dhe media e kontrolluar prej tij, të vënë në lëvizje sipas strategjisë: “Shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Sipas tyre shkak i konfliktit të ndodhur atje ishte bërë “zaptimi i paligjshëm i një sipërfaqe të konsiderueshme toke nga Rrahman Selmanllari, në të cilin ishte implikuar edhe kryeregjistruesi i Shqipërisë, z. Arben Qirjako”. Po për këtë ngjarje nuk u deshën më shumë se dy ditë që të sqarohej gjithëçka, ku kjo ngjarje ishte një inskenim i turpshëm i Edi Ramës dhe medias së kontrolluar prej tij. Vetë banorët e prekur nga kjo ndodhi sqaruan publikisht se nuk kishte asgjë të paligjshme në transaksionin e kryer midis tyre dhe një firme ndërtimi për të zhvilluar pronën private, të cilën e kishin fituar në mënyrë të ligjshme. Megjithatë Rama shkoi në Orikum dhe mblodhi atje disa militantë, që s’kishin lidhje me ngjarjen e ndodhur, për të krijuar përshtypjen e njeriut të shqetësuar për hallet dhe problemet e qytetarëve, që mund të jenë prekur në të drejtën e tyre ligjore. Ai u tha të pranishmëve se “do të bëhej avokati i tyre”, por kjo shprehje më shumë se sa përkujdesje politike tregonte ndikimin juridik që mund të ketë lënë tek ai “Avokati” më i ri i Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryetar i Partisë Ligj e Drejtësi.
Kriza e mungesës së argumentave për të justifikuar lëvizjet e ndryshme politike të opozitës dhe mungesa e mbështetjes së duhur nga anëtarësia e saj janë shkaku kryesor i kësaj mësymje të shfrenuar të krerëve të opozitës dhe medias së tyre servile për të shpifur e përbaltur punën e qeverisë dhe anëtarëve të saj, duke u përqëndruar tek kryeministri, që përfaqëson “Thembrën e Akilit” për pushtetin e mazhorancës aktuale. Kjo është arsyeja që liderat e opozitës artikulojnë thirrje të natyrës revolucionare dhe inskenojnë ngjarje të njëpasnjëshme provokuese për opinionin publik, me qëllim që të ngrenë disi treguesin e militantizmit komunist në radhët e anëtarësisë socialiste. Por anëtarësia socialiste, qoftë kjo në forumet e larta apo në bazë, në përgjithësi nuk e miratojnë dhe nuk e mbështesin këtë çmënduri kulmore të Edi Ramës, pavarësisht se jo të gjithë dalin hapur kundër tij. Natyrisht që disa të çekulibruar në gradën që është dhe vetë lideri socialist e shtyjnë drejt aventurizimit të pafre, por kjo gjë duhet frenuar nga politikanët e përgjegjshëm të këtij vendi. Apeli i ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nanos, “për t’i thënë ndal këtij aventurieri politik”, madje dhe iniciativa e tij për të kantiduar përballë Ramës në zgjedhjet lokale të radhës për kreun e Bashkisë Tiranë, duhet t’na obligojë të gjithëve për të dhënë ndihmesën tonë, në një formë ose në tjetrën, me qëllim që papërgjegjshmëria politike dhe njerëzore e Edi Ramës të mos dëmtojnë aspak imazhin dhe perspektivën e ecjes përpara të vendit tonë drejt gjirit të familjes europiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›