Sheikut të socialistëve Edi Rama s’i bën fajde xhihadi i pronës, kur Tirana e ka shpallur si specialist të grabitjes së saj
Çdo ekskursion i sheikut Edi Rama nëpër qytete të Shqipërisë po pasohet nga thirrje agresive kundër shtetit. Nuk mjaftohet në marrëzinë e çmendurisë bojkotuese, por e thellon më shumë divorcin, me “arsyetimin” se “ku vidhet prona, lihet koka”... Është krejt një thirrje për një xhihad ndaj institucioneve shtetërore. Tashmë, Sheiku i bashkisë nuk po mjaftohet veç me lëshimin e kamikazëve të celulës bashkiake për të mbrojtur një gropë që i ngjason një krateri të grand canyon në mes të Tiranës. Edi Rama nuk shkurajohet, paçka se po bëhet përditë e më qesharak. Ai është gati që edhe zhdukjen e dinosaurëve t’ia faturojë familjes së Berishës.
Muxhahedini i bashkisë erdhi në politikën shqiptare fiks si një meteorit, dhe e keqja e meteoritëve është se kur takohen me tabanin e tokës shkatërrojnë gjithçka gjejnë përpara.
Për sqarim duhet të dimë se Shqipëria e viteve ‘90 ishte një hutim kolosal, prandaj edhe duhet mbajtur parasysh se në ato vende ku mbretëron varfëria e papunësia, atje ku mund të ndjehen edhe sot e kësaj dite pasojat nga komunizmi - për ç’gjë mund të merren në përgjegjësi zhvillime të shumta negative, me o pa të drejtë - aty mund të gjinden me lehtësi të madhe ithtarë edhe nga një lëvizje me program revolucionar xhihadist. Mirëpo kush e mban mend një parti me emrin KIS që kishte atë programin që sapo thamë më lart? A po rishfaqet po ajo ideologji në një kontenitor politik të ri sot? Shumë shkurt mund të mbahet mend kur trinomi Rama, Klosi e Ngjela krijuan partinë KIS (partia kristian-islamike), për të koncentruar disi politikën orientale në Shqipëri. Sot xhihadi politik po tenton të rikrijohet, në një frymë përtej të majtës e së djathtës, tek një strukturë orientale, ku njëshi është mbi të gjithë. E ky është padyshim Sheiku.
Rama, edhe në ekskursionin e Orikumit tentoi të nxiste rebelime morale kundër shtetit laik. Por kjo punë nuk pati zgjatim, sepse qe shoqëruar fatmirësisht nga Toçi, dhe me të është si të jesh vetëm, prandaj edhe Edvini u tkurr nga përpjekja leniniste e kryesimit të trazirave. Orikumi u tentua në hava të rikthehet në një Gërdec të dytë. Edvini me industrialistët e shpifjes është i gatshëm t’i bëjë një mallkim Vudu kryeministrit Berisha, në partneritet me veglat e tij në medie, duke i qepur çdo lloj tragji-komedie, mjaft që të duket se opozita revolucionare do impostohet më mirë.
Sheiku i opozitës edhe kësaj here do të bëjë ca shpikje, por ai nuk është shkencëtar që të bëjë shpikje: është vetëm një piktor bohem, i dështuar në atelietë e Parisit. Por sehirxhinjtë apatridë nuk duhet të dëshpërohen, se shkencëtarin e fjalës ai e ka gjetur. Mullahu i kalemit, që së fundmi ka fituar nobelin për “gazetarinë investitore”, është gati të marrë investiturën zyrtare si killeri i figurave të maxhorancës, edhe si bonus ka intrigat e qilarëve të shtetit.
Kryesia e PS ose Këshilli i Ulemave, që kryesohet nga Ajatollah Ruçi mbetet në pajtim të plotë me çfarëdolloj oreksi antishtetëror, me çfarëdolloj tekno-terrorizmi, vetëm e vetëm që në fund të tunelit të dhunës të duket pushteti. Opiumi që ka kapur asamblenë e socialistëve tregon sesi mund të katandiset një organizëm politik në një orgazëm kolektive xhihadiste. Kuptohet vetiu pastaj fakti se “hapja e kutive” është pyka ku ata kërkojnë legjitimim, por shpresa se përmes politikës konfliktuale do vijë ndonjë pozicionim në llogoren e moralit është naive. Sheiku antifamiljar, antitiranas, antilig, antife e specialist i vjedhjes së pronës s’mund të ketë shanse të korrë sukses në një spekullim të tillë