Skandali i misrit, qindra hektarë shterpë në vend
Me qindra hektarë misër në të gjithë vendin rezultojnë të sabotuara nga fara shterpë që është mbjellë
Skandali i misrit shterpë tashmë ka shkuar në Prokurori, pasi në të gjithë vendin rezultojnë se ka me qindra hektarë të mbjellë me këtë farë të dështuar. Në Elbasan janë regjistruar fermerët e parë që i janë drejtuar Zyrës se Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë, duke paditur penalisht sipërmarrësit e shoqërisë që u shiti farën. “Për të gjitha shpenzimet dhe prodhimin që kam humbur, duhet të më kthejnë lekun. E kam blerë 4 mijë lekë kilen”,- shprehet një fermere. Kësaj gruaje i janë bashkuar të tjerë fermerë, të cilët kanë patur të njëjtin fat; kanë mbjellë misrin, i kanë shërbyer dhe nuk morën asnjë kilogram prodhim. Skandali i këtij viti nuk është i pari i këtij lloji që realizohet me shitjen e farërave. Në mungesë totale të një kontrolli të mirëfilltë, farëra të dobëta në bujqësi japin prodhimi minimale, ndërsa mungojnë analizat e mirëfillta për këtë sektor.
Gjatë mesjavës në Qarkun e Elbasanit janë zbuluar vatra të tjera masive me misër shterpë, të cilat shtrihen në komunat më të mëdha të këtij rrethi. Gjatë kontrollit që fermerët u kanë bërë parcelave të mbjella me misër të hibridit francez “Elisea” kanë konstatuar se në to prodhimi sivjet rezulton zero, si në të gjitha parcelat e tjera ku është mbjellë për misër-kokërr kjo farë. Gjatë të mërkurës në Qarkun e Elbasanit janë zbuluar vatra me sipërfaqe mbi 15 hektarë, në disa fshatra ku misri është një nga kulturat bujqësore më të rëndësishme. Në komunën e Gostimës rezulton se është mbjellë me hibridin e farës “Elisea” mbi 85 % e sipërfaqes, e cila për këtë sezon nuk ka prodhim.
Fermerët thonë se kur kanë blerë farën pranë pikave të “Agro Blend” me pronar kreun e Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, iu është garantuar se kjo farë do të jepte superprodhim, por ka ndodhur e kundërta. Madje fermerët e Gostimës thonë se janë përcjellë nga pikat e “Agro Blend” pa marrë as certifikatën përkatëse të kësaj lloj fare. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe fermerët e komunave Grekan dhe ata të Shalësit, ku disa dhjetëra hektarë rezultojnë me misër shterpë. Fermerët thonë se janë në pritje të reagimit të qeverisë e të firmës që ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së kësaj lloj fare pasi ata kërkojnë me çdo kusht dëmshpërblim.
ReagimiTenderi i “ARMO”, ministria pranon skandalin
Tenderi i privativit të “ARMO” është mbuluar nga hija e skandalit të shitjes së informacionit dhe eliminimit të konkurrentëve. Çështja pritet që të shkojë në Prokurori nga ku pritet që të dalë e vërteta për skandalin e radhës në tenderat që vlerësohen edhe nga ndërkombëtarët si proceset më të korruptuara në vend. Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Neritan Alibali pohoi dje në media, se gjatë procesit të privatizimit të kompanisë “ARMO” u tentua të vidhet në bashkëpunim për manipulimin e informacionit zyrtar të klasifikuar. Alibali tha se, "është tentuar të vidhet në bashkëpunim dhe të manipulohen informacione zyrtare të klasifikuara si konfidenciale. Subjekte të caktuara, për interesa të caktuara, të drejtpërdrejta, kanë tentuar të hyjnë e të marrin informacion për t’i përdorur, për t’i bërë presion komisionit për të ndryshuar edhe drejtimin e punës së grupit përkatës të ministrisë, të cilët negocionin kontratën". Dështimin e kësaj vjedhjeje, Alibali e vlerësoi me vetë rezultatin e procesit të privatizimit të ARMO-s, i cili "tregoi se ishte e pamundur të mund të goditej ligji". Lidhur me emrat e personave të përfshirë në këtë akt të dënueshëm, zëvendësministri i METE-s, Neritan Alibali, tha se "ajo është çështje e organeve përkatëse. Ministria dhe organet përkatëse janë në vazhdim të këtij proçesi". Qeveria miratoi kontratën e shitjes së 85% të aksioneve shtetërore të kompanisë së tregtimit dhe përpunimit të naftës “ARMO”, tek konsorciumi i përbërë nga tre shoqëri: "Anika Enterprises SA"& "Mercuria Energy Group Limited"&"Refinery Associates of Texas, INC", me një vlerë prej rreth 130 milionë euro.