E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Ristanit: Zgjedhjet duhet të përfundojnë në festë

Me nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi dje së qëllim mbetet arritja e standardeve në zgjedhje. "Uroj që procesi zgjedhor të jetë i pakontestueshëm dhe votimet e këtij viti t‘i japin fund tranzicionit", u shpreh Ristani. Kreu i KQZ-së kërkoi që fushata elektorale të përfundojë në festë dhe të mos ketë tension gjatë zhvillimit të saj. Ndërkohë, partitë kryesore janë angazhuar për një fushatë moderne. Për momentin ajo është duke u zhvilluar mjaft e qetë dhe ka pasur shumë pak incidente si rasti i Sarandës, apo ai i sulmit mbi një zyrë elektorale të PS-së në Tiranë. Pasi dy partitë më të mëdha hapën zyrtarisht fushatën elektorale, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arben Ristani, bëri apel për një fushatë të qetë që duhet të kurorëzohet me proces zgjedhor të pakontestueshëm. Në mbledhjen e sotme të radhës në KQZ, Ristani uroi partitë për një fushatë të qetë, duke nënvizuar se të gjitha palët duhet të përpiqen për të arritur standardet e zgjedhjeve. "Fushata të mbyllet, ashtu si nisi, me festë", tha ai. Kreu i KQZ-së uroi gjithashtu që partitë në fund të procesit zgjedhor të mos e kontestojnë atë. Shpresojmë, vijoi kreu i KQZ-së, që me këto zgjedhje Shqipëria, tashmë një vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti edhe kandidat për në BE, t‘i japë fund tranzicionit. "Uroj që procesi të jetë i pakontestueshëm, ku të mos përmendet fjala që zgjedhjet ishin një shans i humbur", tha më tej ai. Ristani shtoi se KQZ-ja është e angazhuar për proces të rregullt zgjedhor, ndaj kërkoi nga partitë politike që edhe këto të zbatojnë Kodin Zgjedhor gjatë fushatës elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›