Korçë, PS humbet mazhorancën në Këshillin Bashkiak
Të djathtët marrin drejtimin e Këshillit Bashkiak të Korçës, duke ndryshuar raportet e këtij këshilli. Mes debatesh të ashpra, fyerjesh dhe sharjesh të ndërsjella, këshilli u është marrë të majtëve, duke vënë në duart e të djathtëve plot 18 vota. Pozicionimi politik i këshilltares së forcës politike të LSI-së ka ndryshuar balancën politike të këshillit. Edhe pse mbledhja ka zgjatur për më shumë se pesë orë me diskutime dhe debate për mocionin e mosbesimit të iniciuar nga të djathtët, ndaj kryetares së këshillit dhe zëvendëskryetarit me kërkesën për shkarkimin e tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ajo që në fakt ka çuar në acarimin e situatës ka qenë pozicionimi i menjëhershëm djathtas i këshilltares së dorëhequr nga LSI-ja, Arjana Pupa. Kjo e fundit, e cila pak kohë më parë u shkëput nga kjo forcë politike, duke dalë si këshilltare e pavarur, ka deklaruar në këshill se do t‘i bashkohet aleancës së djathtë në momentin kur është vënë para fyerjeve për shitjen e saj te të djathtët dhe trafikun e këshilltarëve që është bërë së fundi në këshill. Të majtët kanë pretenduar se ndryshimi i këshillit bashkiak po kryhet për qëllime politike, ndërkohë që ata kanë kërkuar që ndryshimet të bëhen pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë, me shumicë votash është bërë shkarkimi i kryetares së këshillit, Rajmonda Nase, dhe zëvendëskryetarit Vladimir Dine. Më tej, Gjergji Pendavinj është zgjedhur në postin e kreut të Këshillit Bashkiak të Korçës, ndërkohë që postin e zëvendësit e ka marrë Shkëlqim Kajmaku.