Presidenti pret ambasadoren angleze
Presidenti Bamir Topi ka pritur dje ambasadoren e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Fiona Mekiluam, e cila paraqiti letrat-kredenciale. Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit ka bërë një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve më të fundit dhe situatës parazgjedhore në vend, fuqizimit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar, si dhe siguroi ambasadoren britanike për mbështetjen e plotë si President i Republikës dhe të institucioneve të shtetit shqiptar gjatë misionit të saj në Shqipëri. Ambasadorja Mekiluam ka uruar Presidentin Topi për arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, si dhe për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, duke e siguruar se Mbretëria e Bashkuar do ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha nismat e saj.