Monitorimi i medias, publikohet raporti i parë
Publikohet raporti i parë i monitorimit të mediave për periudhën 15 maj deri më 22 maj. Megjithëse fushata elektorale ka filluar para dy ditësh zyrtarisht, mediat kryesore në vend kanë më se dy javë që kanë qenë nën monitorim nga kompania Delta/MCM, si pjesë e një projekti të mbështetur nga USAID. Në raport thuhet se tv "Klan" dhe TVSH treguan një predispozitë të dukshme për t‘i vënë në dispozicion më tepër kohë transmetimi PD-së dhe aleatëve të saj të koalicionit "Aleanca e Ndryshimit". Ndërsa "Top Channel", "Koha TV" dhe "News 24" vunë më shumë minuta në dispozicion të PS-së dhe aleatëve të saj të "Bashkimi për Ndryshim" nga koalicioni i majtë. Koalicioneve të të vegjëlve "Aleanca Socialiste për Integrim" dhe "Poli i Lirisë" iu vu në dispozicion më pak kohë transmetimi se sa aleatëve të vegjël të partive të mëdha, pavarësisht peshës së tyre parlamentare. Në raport thuhet se gazeta "Shqip" i ka dedikuar 4244 cm2 hapësirë PD-së. Në raport theksohet se kjo gazetë i dedikoi 3076 cm2 PS-së, 751 cm2 PR-së, 719 cm2 LSI-së, 493 cm2 PBDNJ-së dhe 319 cm2 G99-ës. "Shqip" e ka përmendur Sali Berishën 110 herë në artikujt e saj të aktualitetit politik. Edi Rama u përmend 73 herë, Ilir Meta 36 herë dhe Vangjel Dule 32 herë. Gazeta "Shekulli" i dedikoi 3561 cm2 PS-së në artikujt e saj, 2505 cm2 sipërfaqe të vënë në dispozicion të PD-së. Sali Berisha u përmend 59 herë në artikujt e aktualitetit politik. Po 59 herë u përmend edhe Edi Rama. Fatmir Mediu u përmend 9 herë. Gazeta "Panorama" i dedikoi 4813 cm2 hapësirë PS-së në artikujt e vet të lajmit politik, krahasuar me 4658 cm2 mbulim që iu dha PD-së. LSI pati në dispozicion 1407 cm2 hapësirë. Sali Berisha rezultoi politikani me mbulimin më të madh, duke u përmendur 102 herë nga "Panorama". Edi Rama u përmend 66 herë, Ilir Meta 48 herë dhe Fatmir Mediu 23 herë. "Gazeta Shqiptare" i dedikoi 3322 cm2 hapësirë PD-së në artikujt e saj të lajmit politik. 2509 cm2 iu dhanë PS-së, ndërkohë që 937 cm2 iu dhanë PR-së. G99 pati 474 cm2 hapësirë, ndërsa 450 cm2 iu dhanë LSI-së. Sali Berisha është politikani që pati më tepër mbulim nga "Gazeta Shqiptare", me një përmendje prej 93 herësh krahasuar me Edi Ramën, që u përmend 63 herë. Fatmir Mediu u përmend 27 herë, Ilir Meta 14 herë dhe Skënder Gjinushi 14 herë. Ndërsa për monitorimin e televizioneve rezulton që "Top Channel" për PS-në ka vënë në dispozicion 128.5 minuta dhe për PD-në 98.5 minuta. Edi Rama ishte politikani që mori më shumë kohë transmetimi, 47 minuta. I dyti ishte Sali Berisha me 28 minuta, Erion Veliaj me 8 minuta dhe Ilir Meta me 4 minuta. "TV Klan" për PD-në ishte 267.3 minuta dhe për PS-në 95.3 minuta. Sali Berisha, pati mbulimin më pozitiv, mori 108.9 minuta, krahasuar me Edi Ramën që mori vetëm 28.7. "News 24" për PD-në ishte 281.5 minuta, ndërkohë që PS mori 279.2 minuta. Sali Berisha mori 92 minuta mbulim, ndërkohë që Edi Rama i PS-së mori 78 minuta. "Koha TV" për PS-në ishte 116.2 minuta. PD mori 49.1 minuta. Mbulimi ishte neutral për të gjitha partitë. Edi Rama ishte politikani me mbulimin më të madh, prej 37 minutash, ndërkohë që Berisha mori 13 minuta. TVSH për PD-në ishte 124.3 minuta, krahasuar me 68.4 minuta që mbuluan PS-në. Politikani me mbulimin më të madh ishte Sali Berisha me 29 minuta, i ndjekur nga Edi Rama me 19 minuta. "Vizion plus" për PD-në ishte 123 minuta, krahasuar me 121.6 minuta për PS-në. Politikani që pati mbulimin më të madh ishte Edi Rama me 35 minuta dhe i dyti ishte Berisha me 12 minuta.