Apeli i SHBA-ve për zgjidhjen e krizës politike, Shalsi: “Berisha të reflektojë”
Pas mesazhit të administratës amerikane për zgjidhjen e krizës politike, deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të reflektojë. Shalsi ka komentuar edhe akuzat e qeverisë ndaj ambasadorit në ikje John Withers, duke u shprehur se ato tregojnë mungesë serioziteti të qeverisë.
Në letrën e Departamentit Amerikan të Shtetit drejtuar shtetit shqiptar dy ditë më parë, është shprehur ndër të tjera edhe shqetësimi për tejzgjatjen e krizës politike, e cila, sipas krerëve të Departamentit të Shtetit, po kushtëzon integrimin europian të Shqipërisë.
Deklarata
“Tani që përgjigjja e Departamentit Amerikan të Shtetit është e qartë, jo vetëm në raport me nevojën urgjente për zgjidhjen e krizës politike, por dhe për garantimin e pavarësisë së institucioneve, e veçanërisht Shërbimit Informativ, Sali Berisha duhet të reflektojë dhe të veprojë të paktën një herë në mënyrë të përgjegjshme. Të zgjidhë krizën politike, të heqë dorë nga kontrolli mbi gjykatat dhe të harrojë çmenduritë në raport me Shërbimin Informativ Shqiptar”, - theksoi Shalsi. Ndërsa akuzat ndaj ambasadorit amerikan, sipas Shalsit, do të përbënin një skandal në çdo shtet normal. “Kjo ngjarje, që do të kishte përbërë një skandal në çdo shtet normal, me sa duket nuk është mjaftueshëm e rëndësishme për Sali Berishën, i cili vazhdon të injorojë kërkesat e vazhdueshme të shteteve të bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Madje, qeveria jonë shkon edhe më tej duke mohuar ekzistencën e ndonjë letre ankese nga pala shqiptare. Nëse qeveria shqiptare nuk është ankuar ndonjëherë zyrtarisht te Departamenti i Shtetit në lidhje me deklaratat e ambasadorit amerikan, atëherë kujt i përgjigjet ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon?” - shprehet Shalsi.
Papërgjegjshmëria
Përballë letrës drejtuar administratës amerikane, Partia Socialiste e ka akuzuar qeverinë për mungesë serioziteti. “Mënyra se si Sali Berisha drejton diplomacinë, përmes letrave të tilla anonime, tregon për një mungesë të theksuar serioziteti, për papërgjegjshmëri, për një sharlatanizëm që po dëmton rëndë aspiratat e shqiptarëve. Vetëm Sali Berisha nuk e kupton se kur një ambasador shprehet për një çështje, ai nuk shpreh mendimin e vet personal, por përfaqëson qëndrimin e shtetit të tij. Këtë gjë Sali Berisha nuk e kupton, ose nuk dëshiron ta kuptojë dhe duke ndjekur gjurmët e veta si sekretar i Partisë Komuniste, vazhdon të shkruajë edhe sot në 2010-n letra anonime, njësoj si 30 vjet më parë”, - tha deputeti Shalsi.
“Top Channel” publikon letrën që ndihmëssekretari Gordon i ka dërguar Metës për Withers-in
Televizion “Top Channel” ka bërë publike dje letrën origjinale që ndihmëssekretari i Shtetit Filip Gordon i ka dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Metës. Publikimi i kësaj letre vjen vetëm një ditë pasi Meta e cilësoi lajmin spekulativ dhe mohoi të ketë dërguar ndonjë ankesë ndaj ambasadorit Withers. Por që në krye të letrës së bërë publike dje nga “Top Channel”, ndihmëssekretari Gordon i referohet një letre të mëparshme që Meta i ka dërguar në muajin maj Sekretares së Shtetit, Hilari Klintonit. Më tej Gordon thekson: “Sekretarja e Shtetit dhe unë kemi besim të plotë te ambasadori Withers dhe në punën që ai po bën, për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO”, - thuhet në letrën që publikoi Top Channel. Po ashtu, në këtë mesazh ngrihet shqetësimi për emërimet në gjykata: “Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve”, - shkruhet në letër. Së fundi, në letër shprehet edhe shqetësimi për tejzgjatjen e krizës politike, e cila, sipas krerëve të Departamentit amerikan të Shtetit, po kushtëzon integrimin europian të Shqipërisë. “Ne besojmë se një zgjidhje e shpejtë e ngërçit politik do të lejonte Shqipërinë të vazhdonte të shënonte përparim në përmbushjen e objektivit të integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik”, - shkruhet në letër. Publikimi i letrës origjinale të Gordon vjen vetëm një ditë pasi Meta mohoi të ketë dërguar letër ankimimi ndaj Withersit. “Më vjen shumë keq që kjo thatësirë që vjen nga koha, për fat të keq ka sjellë edhe një thatësirë për lajme, për të gjithë ata që duan ta mbushin atë me lajme të cilat janë spekulative. Puna ime si ministër i Jashtëm kërkon që, unë çdo ditë të shkëmbej letra dhe mesazhe me Uashingtonin dhe me qendra të tjera të rëndësishme. Ndërsa për spekulimet në fjalë, as që nuk ia vlen që të merrem me to. Sidoqoftë, mund t’ju them se nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shtet jashtë, ku të jemi ankuar për ndonjë ambasador apo diplomat këtu në Shqipëri. Por, është e drejta e kujtdo të prodhojë lajme”, - është shprehur Meta, duke rrëzuar poshtë çdo aludim se ai dhe qeveria shqiptare kanë dërguar letër kundër ambasadorit amerikan.
Klinton, letër Metës, vlerëson qëndrimin e Shqipërisë për Kosovën
Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, i ka dërguar një letër zëvendëskryeministrit, njëkohësisht ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, në të cilën vlerëson rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë për çështjen e Kosovës. Në këtë letër Klinton vlerëson bashkëkoordinimin e qëndrimit të qeverisë shqiptare me qëndrimin e SHBA-ve dhe vendeve të tjera të BE-së për marrjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. “Ne vlerësojmë thellësisht gjithçka që Shqipëria dhe Ju personalisht keni bërë për të çuar përpara kauzën e një Kosove të pavarur, paqësore dhe demokratike, ndërkohë që keni ndjekur në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme pajtimin rajonal me Serbinë. Opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përforcoi në mënyrë të vendosur qëndrimin tonë të hershëm se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ju falënderoj për koordinimin tuaj të ngushtë dhe të fortë, i cili ndihmoi për të realizuar këtë gur themeli të rëndësishëm”, - shkruhet në letrën që Hillari Klinton i ka dërguar Metës. Më tej në këtë letër sekretarja amerikane e Shtetit garanton se SHBA-të do të vazhdojnë ta nxitin njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i nxitin ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të ndërmarrin këtë hap dhe do të mbështesë veprime konstruktive në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Opinioni i GJND-së mund të shërbejë gjithashtu si një katalizator për Serbinë dhe Kosovën, për të lënë mënjanë diferencat dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive mbi çështjet praktike dhe për të përmirësuar jetën e popullit të Serbisë, Kosovës dhe të gjithë rajonit. Kjo është rruga drejt një të ardhmeje të përbashkët si pjesë e një Europe që është e lirë, e bashkuar dhe në paqe”, - shkruhet në letër.
14 Gusht 2010