E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdojnë spekulimet, pas bukës rritet çmimi i vajit dhe i orizit



Pas rritjes së çmimit të miellit dhe bukës, dje është shënuar shtrenjtimi i radhës për disa artikuj të tjerë të shportës. Vaji i gatimit ose ndryshe vaji i lulediellit dhe orizi kanë shënuar dje rritje në tregun e shumicës në kryeqytet në afërsi të ish-“Qytetit të Nxënësve”. Në këtë treg gjenden edhe magazinat e një pjese të grosistëve që tregtojnë produkte ushqimore me shumicë për një pjesë të madhe të rretheve të vendit. Sipas Inspektorateve që kontrollojnë tregjet në Tiranë, “nga ky treg zënë fill shpesh herë edhe rritjet abuzive”, në një kohë që ata e konsiderojnë këtë vend edhe pikën kryesore ku tregtohen shumë mallra të skaduara. Tregtarët dhe grosistët në këtë treg thonë se orizi dhe vaji i lulediellit kanë kohë që janë shtrenjtuar, por kjo gjë nuk ka përbërë shqetësim te konsumatorët. Por ka mjaftuar një vëzhgim i medieve ditën e djeshme, që spekulimi me çmimet e artikujve më jetik të konstatohen. Por tregtarët e këtyre mallrave thonë se, “në tregjet ndërkombëtare, sikundër për grurin, është rritur edhe çmimi i farës së lule diellit”. Por kjo nuk e justifikon aspak faktin që menjëherë sapo në bursa vërehet një ndryshim i vogël i çmimeve të shumicës për tregjet ndërkombëtare, kjo të reflektohet direkt në tregun shqiptar që është fare mikroskopik përpara atyre që kuotohen nëpër bursat ndërkombëtare. Në Shqipëri artikuj si mielli, buka, orizi, vaji, etj., janë ushqime bazë për shtresat e varfra dhe artikuj të shportës, gjë për të cilën shtetit i takon t’i mbrojë ato nga spekulimet. Por si për hironi tregtarët në tregun e shumicës paralajmërojnë se deri në fund të këtij viti ushqimet do të kenë vetëm tred ritës. Një rritje të lehtë këto ditë ka pësuar edhe uji që shitet i ambalazhuar me bidonë plastik. Kjo për faktin se është rritur akciza për materialet plastike dhe ambalazhet.

Prodhuesit e bukës
Pas kërcënimit për rritje të çmimit të bukës nga prodhuesit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u hodh në aksion për inspektimin në terren. Por menjëherë pas aksionit dhe gjobave të tatimorëve, Shoqata e Prodhuesve të Bukës, për të mos rritur më tej çmimin e këtij produkti ka deklaruar se do të veproj ndryshe. Sipas përfaqësuesve të saj, tregtarët dhe prodhuesit e bukës nuk do ta rrisin çmimin, por ata janë të lirë që të ulin gramaturën e saj. Prodhuesit e justifikojnë këtë veprim me faktin se ligji nuk e përcakton se sa duhet të jetë gramatura e një buke masive, prandaj si çdo mall edhe buka mund të ketë çmimin, peshën dhe cilësinë e saj. Inspektorë të DPT-së janë shprehur se, realisht çmimi i grurit nuk ka njohur ndonjë rritje të ndjeshme, aq sa t’i detyrojë prodhuesit të rrisin çmimin e bukës, por një gjë e tillë është kundërshtuar prej prodhuesve të bukës. Sipas tyre, ditën e djeshme mielli është kapur me çmimet nga 52-57 lekë kg, ndërkohë që deri tani çmimi ka qenë rreth 40 lekë kg. Por ulja e gramaturës shikohet si një “zgjidhje” nga prodhuesit e bukës, për t’i shpëtuar gjobës nga tatimet. Pas alarmit për rritjen abuzive të çmimit të bukës, si rezultat i rritjes së çmimit të miellit, DPT-ja gjatë kontrolleve të ushtruara në 120 subjekte, të Tiranës dhe Durrësit evidentoi 20 subjekte që kishin rritur në mënyrë fiktive çmimin e bukës; dhe në 27 subjekte u vendosën gjoba me vlerë mbi 3 milionë lekë, si dhe u sekuestruan 10 ton miell i pashoqëruar me faturë. Sipas DPT-së qëllimi i këtyre kontrolleve në rang kombëtar bëhet për verifikimin e çmimit të blerjes dhe shitjes së produkteve, pasi megjithëse çmimet e importit të grurit nuk kanë ndryshuar. Në ditët e fundit është vënë re një rritje e çmimit të bukës në mënyrë abuzive ndërsa ky institucion garanton se do të marrë të gjitha masat administrative për ndëshkimin dhe parandalimin e këtij fenomeni.

Rritja
Duket se situata e krijuar me rritjen e çmimit të bukës në disa prej subjekteve tregtuese në vend është e përkohshme dhe ndaj abuzuesve po merren masa ndëshkuese. Pavarësisht rritjes lehtësisht të çmimit të bukës në disa furra në kryeqytet nga një vëzhgim i bërë në disa rrethe të vendit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në qytetin e Korçës, çmimi i bukës dhe masa e saj nuk ka ndryshuar. Kjo pohohet dhe nga vetë prodhuesit e bukës dhe konsumatorët. E njëjta situatë është edhe në qytetin e Elbasanit, ku qytetarët vazhdojnë të blejnë me të njëjtin çmim të gjitha llojet e bukës. Në qytetin e Fierit sipas burimeve në Drejtorinë e Tatim-Taksave mësohet se janë kryer inspektime në dyqane me pakicë dhe në furrat e bukës për çmimin, i cili nuk ka ndryshuar. Ndërkohë në një deklaratë për mediat, Drejtori ekzekutiv i Unionit të Tregtarëve Agroushqimorë shprehet se, parashikimet e prodhimit botëror të grurit, presin një rënie, e cila do të reflektohet dhe në çmimin e bukës.

Preçi: Rritja e çmimit të bukës është spekulim

Rritja e çmimit të bukës nuk justifikohet dhe është një spekulim që po bëhet me konsumatorin. Kështu u shpreh eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, duke theksuar se kjo rritje bën të mendosh për ekzistencën e marrëveshjeve të fshehta. Sipas tij, kriza ristrukturon tregjet por kjo do të thotë edhe më shumë vëmendje ndaj prodhimit vendas. Ai shtoi se, “eksporti i grurit nga Rusia, nuk është aq i madh sa të japë efekte të menjëhershme. Tregtia realizohet më tepër nëpërmjet vendeve të treta”. Madje, sipas tij, edhe nëse kjo do të ndodhte do të duheshin të paktën tre muaj që kjo të pasqyrohej në tregun tonë. Ditët e fundit rritja e çmimit të bukës është tema më e diskutuar. Kjo erdhi si rezultat i ndalimit të eksportit të grurit nga Rusia. Në Shqipëri një sërë subjektesh filluan të rrisin çmimin e bukës menjëherë pas bërjes publike të embargos ruse.

Zherdi: Qeveria të marrë masa që të mos rritet çmimi i bukës

Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Mbrojtjes së Tregtarëve dhe Tregut, Niko Zherdi, shpreh shqetësimin për mungesën e kontrollit mbi çmimin e bukës në vend. Sipas tij qeveria duhet të bëjë një planifikim për mbjelljen dhe shtimin e sipërfaqes së grurit në mënyrë që 60 deri në 70% të sigurohet nga tregu vendas, gjë që do të shmangte rritjen e mëtejshme të çmimit të bukës. “Këtu problemi është që shteti të marrë masa për të organizuar dhe drejtuar prodhimin e bukës dhe të lëndëve të para, grurit dhe drithërave, me qëllim që tregu të ekuilibrohet, që kërkesa dhe oferta të plotësohen“,- shprehet Zherdi.
Qeveria duhet të bashkërendojë punën mes ministrive, biznesmenëve dhe furnitorëve, në mënyrë që të mos ketë rritje të mëtejshme të çmimit të bukës, theksoi më tej Presidenti i SHKMTT-së, Zherdi.

Pastrimi i plazheve, AMC dhe Korpusi i Vullnetarëve mbyllin me sukses aksionet

Fushata e ndërgjegjësimit dhe pastrimit të plazheve e organizuar nga AMC dhe Korpusi i Vullnetarëve, e nisur në ditën ndërkombëtare të mjedisit, pesë qershor, ka përfunduar për këtë sezon veror. Gjatë këtyre dy muajve, Forumi i Mendimit të Lirë me Korpusin e Vullnetarëve të mbështetur nga AMC, kanë organizuar disa aksione masive për pastrimin e zonave bregdetare nga papastërtitë si dhe ndërgjegjësimin e pushuesve për ruajtjen e ambientit, kryesisht zonave bregdetare. Qëllimi i këtyre aksioneve ka qenë jo vetëm pastrimi i plazheve dhe i zonave përreth nga mbetjet, por edhe ndërgjegjësimi i komunitetit të zonës, pushuesve dhe bizneseve për rëndësinë e një mjedisi të pastër. Vetëm një mjedis i pastër do të mundësojë një vazhdimësi të turizmit dhe zhvillimit të mëtejshëm të këtyre zonave. Për këtë qëllim gjatë aksioneve në vijën bregdetare shqiptare, nga Velipoja e deri në Vlorë, është komunikuar me turistët dhe me bizneset lokale për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Këtë vit aksionet ishin fokusuar në plazhe që kanë filluar të vizitohen nga shumë turistë në vitet e fundit, plazhe që më parë nuk kishin frekuentim masiv. Vullnetarët dhe punonjësit e AMC kanë kryer pastrimin e plazheve prej mbetjeve të krijuara nga pushuesit, por edhe nga bizneset që zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të papërgjegjshme. Në të gjitha aksionet ku Korpusi i Vullnetarëve dhe punonjësit e AMC kanë marrë pjesë kanë kërkuar edhe përfshirjen e komunave dhe bashkive të cilët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për bashkëpunim. Vullnetarëve të ardhur nga Tirana i janë bashkuar edhe stafi i komunave apo bashkive ku është kryer aksioni për të pastruar dhe ndërgjegjësuar pushuesit dhe komunitetin në dobi të mjedisit. Funksionarët e lartë të bashkive apo komunave kanë falënderuar ndihmesën e madhe që japin Korpusi i Vullnetarëve dhe AMC në ruajtjen e mjedisit dhe rrjedhimisht edhe rritjen e turizmit. Vullnetarët u organizuan në grupe duke bërë të mundur pastrimin e pjesës së bregdetit si zonën përreth nga mbetjet. Në përfundim të çdo aksioni pastrimi rreth 100 thasë me mbeturina ngarkoheshin në kamionin e plehrave për tu transportuar më pas në pikat përkatëse të grumbullimit të tyre. Për AMC, mjedisi është një nga shtyllat kryesore të përgjegjësisë sociale së korporatës. AMC ka mbështetur përherë nisma në përfitim të mjedisit duke përfshirë në politikat e saj programe të shtimit i territoreve të gjelbra ku përfshihen projekte të pyllëzimit dhe mbjelljes së pemëve, dhe të menaxhimit i mbetjeve ku përfshihen programe të pastrimit, programe të brendshme të reduktimit dhe riciklimit të letrës dhe ri-përdorimit të pajisjeve elektronike. Për AMC është shumë i rëndësishëm raporti harmonik midis veprimtarisë së përditshme dhe kujdesjes ndaj ambientit. Një botë plot përkujdesje ndaj ambientit është në të mirën e të gjithëve.

14 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›