Kuzhe: Gati të nisim me fitore kualifikimet e Euro 2012
TIRANË - Josip Kuze është ndarë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në ndeshjen kundër Uzbekistanit. Për kroatin kjo përballje ka qenë test i mirë para takimit me Rumaninë, që e vlerëson si shumë të vështirë. Ai thotë se Shqipëria është gati t’i nisë eliminatoret për Euro 2012, derisa do të llogaritë në futbollistët që ka aktualisht në skuadër. Kombëtarja shqiptare vazhdon të mbetet e pamposhtur në ndeshjet miqësore. Të përzgjedhurit e Josip Kuzes të mërkurën e arritën edhe fitoren e katërt radhazi, pasi në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës mposhtën Uzbekistanin 1:0. Fatin e Uzbekistanin më herët e kishin edhe përfaqësuesja e Irlandës Veriore, ajo e Malit të Zi dhe e Andorrës, të cilat i mundi Shqipëria me rezultat minimal. Trajneri kroat është ndarë i kënaqur me lojën që kanë treguar futbollistët e tij edhe në këtë miqësore. “Jam shumë i kënaqur me pjesën e parë të lojës, ku kemi luajtur mjaft mirë. Në pjesën e dytë ka ndërruar ekipi dhe normalisht ka rënë ritmi i lojës”, ka thënë Kuze për Express të enjten. Kuze ka treguar se ndeshja miqësore kundër Uzbekistanit ka qenë një test i mirë para përballjes që kuqezinjtë do ta zhvillojnë kundër Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Kuzhe
“Jam i kënaqur si kanë punuar lojtarët dhe me atë çfarë kanë treguar. Ky ishte një test i mirë para ndeshje se ardhshme me Rumaninë, që unë e shoh si kundërshtar shumë i rrezikshëm. Do të jetë ndeshje e vështirë, por ne jemi gati t’i nisim kualifikimet”, ka vazhduar ai. Kombëtares shqiptare në këtë përballje i kanë munguar disa lojtar kyç si Ervin Skela dhe kapiteni Altin Lala. Mungesën e tyre kroati e ka shfrytëzuar t’i testojë disa lojtarë të rinj që i ka ftuar në ekip. “Kryesisht këta lojtarë të ftuar për këtë ndeshje do jenë edhe në kampanjën për kualifikimet e kampionatit evropian”, u shpreh ish trajneri i gjigantit kroat Dinamo Zagreb.
Kuze vlerëson lart Harbuzin
Josip Kuze është në dijeni që mesfushori kosovar i klubit turk Genclerbirligi, Labinot Harbuzi ka shprehur dëshirën që ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Kroati e mirëpret Harbuzin për të cilin thotë se është futbollist i shkëlqyeshëm. “Për Harbuzin jam i njoftuar, atë futbollist e vlerësoj shumë. Ai është lojtar i shkëlqyeshëm. Unë jam i njoftuar për dëshirën e tij që ai të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë. Nga ana jonë jemi të interesuar që ta marrim në ekip, mirëpo janë disa çështje të ndërlikuara pasi ai ka luajtur me U21 të Suedisë”, ka deklaruar ai.
Basha në pritje
Trajneri kroat është në pritje të Migjen Bashës, i cili është në prag të pajisjes me pasaportë shqiptare. Por, edhe mesfushori i klubit italian Atalanta ka hasur në vështirësi për ta veshur fanellën kuqezi, pasi më herët ka luajtur me shpresat e Zvicrës. “Jemi në pritje për Mixhen Bashën, i cili është një futbollist i mirë. E njëjta situatë është edhe për të, i cili ka të ngjashmin problem pasi më herët ka luajtur me skuadrën U21 të Zvicrës”, ka përfunduar Kuze, i cili përveç këtyre dy futbollistëve, aktualisht nuk ka në plan të sjellë ndonjë emër të ri në ekipin kuqezi.
“Goal.om” zgjedh Uesley Shnajder futbollistin e vitit
Goal.com ka zgjedhur Uesli Shnejderin si lojtarin më të mirë të sezonit 2009-2010 në “Goal.com 50”. Mesfushori holandez i Interit është shprehur tepër i lumtur për tjetrën stoli të shtuar në palmarin e tij. 26-vjeçari ishte një protagonist brilant për Interin në fitimin e trios historike, duke fituar njëherësh Serinë A, Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Italisë si dhe ishte klasi i Holandës gjatë verës duke shënuar 5 dola për tulipanët në Kupën e Botës në Afrikë të Jugut. Ish-lojtari i Realit të Madridit tha për Goal.com se ishte krenar për përzgjedhjen e tij si lojtari më i mirë i sezonit nga redaktorët e goal.com dhe falënderoi shokët e tij të ekipit. “Jam me të vërtetë krenar që kam fituar këtë çmim, veçanërisht sepse kjo nënkupton se unë kam bërë më të mirën për Interin dhe për kombëtaren. Jam i Lumtur”, tha lojtari i dalë nga të rinjtë e Ajaksit. Duke falënderuar të gjithë ato që votuan për të dhe të gjithë ata që punojnë për Goal.com, Shnajder theksoi se “më duhet të them se nëse unë e fitova çmimin, krediti shkon tek të gjithë shokët e skuadrës time të cilët më ndihmuan gjatë këtij sezoni, kështu që e ndaj me ta. E gjithë skuadra e meriton këtë.
Dhjetë lojtarët më të votuar
1. Ueslei Shnajder
2. Lionel Messi
3. Xavi
4. Arjen Robben
5. Diego Milito
6. Diego Forlan
7. Andres Iniesta
8. David Villa
9. Kristiano Ronaldo
10. Bastian Schweinsteiger
Katër shqiptarë tek kombëtarja U21 e Zvicrës
Katër futbollistë shqiptarë janë paraqitur në përfaqësuesen U-21 të Zvicrës të mërkurën mbrëma ku ajo u mposht 1:0 nga Greqia. Takimi ishte miqësor. Mesfushori Amir Abrashi dhe sulmuesi Admir Mehmedi ishin që nga fillimi i lojës, ndërsa Pajtim Kasami e Adrian Nikçi u aktivizuan në pjesën e dytë. Sulmuesi Agon Mehmeti luajti nga fillimi i pjesës së dytë për Suedinë U-21 që barazoi 1:1 me Skocinë, po ashtu në miqësore. Mesfushori Besart Abdurahimi ka asistuar në fitoren 4:1 të Kroacisë kundër Norvegjisë, në kuadër të eliminatoreve për evropianin e vitit 2011. Abdurahimi në lojë hyri në minutën e 65-të.
Veron sulmon ish-trajnerin Maradona
Një muaj pas përfundimit të kupës së botës, mesfushori argjentinas Huan Sebastian Veron, sulmoi trajnerin Diego Armando Maradona. Fantazisti thekson se ka vërejtur një seri kontradiktash tek ish-trajneri i ekipit përfaqësues të Argjentinës. Veron mendon se Maradona krijon probleme me shtypin duke mos qenë koherent në deklaratat e tij. Veron thotë se ”Maradona donte qe unë të isha si “Xavi” në skuadër, por me pas me linte jashtë fushës. Në fund unë nuk luajta me”.
Merkato
Balotelli, shumë pranë Manchester Cityt
Tranjeri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka bërë të ditur të premten se pret të transferojë sulmuesin italian Mario Balotelli nga Inter në 24 orët e ardhshme. Sipas medieve angleze, Balotelli ka mbërritur në Manchester për testet mjekësore në klubin e Premierligës të premten dhe Mancini konfirmoi se marrëveshja do të arrihet së shpejti. “Jemi afër me Balotellin. Shpresojmë sot ose nesër”, tha Mancini gjatë një konference për shtyp, para ndeshjes së parë të sezonit të ri në Premierligë kundër Tottenhamit të shtunën. Balotelli ka qenë objektiv afatgjatë i Mancinit dhe besohet se do t’i kushtojë Cityt rreth 29 milionë euro. 20 vjeçari do të bëhet përforcimi i pestë i Cityt prej përfundimit të sezonit të kaluar, duke ngritur shpenzimet në mbi 100 milionë euro pas ardhjes edhe të Jerome Boateng, David Silva, Yaya Toure dhe Aleksander Kolarov.
Ronaldinho, i lumtur te Milani
Ronaldinho është plotësisht i përqendruar në Milan, pas një sezoni me përplot spekulime rreth të ardhmes së tij në klub. Ylli brazilian i tha të përditshmes sportive italiane Gazzetta dello Sport se është i lumtur në Milan dhe shtoi: “Jam këtu për të luajtur, ndërsa vëllai im merret me çështjet e afatit kalimtar”. Vëllai i Ronaldinhos, Roberto de Assis është edhe menaxher i tij. Ronaldinho spekulohej se mund të transferohet në Los Angeles Galaxy, ndërsa kërkohej edhe nga klubi brazilian Palmeiras.
Schëarzerin e do Arsenalin
Portieri i Fulhamit, Mark Schëarzer ka kërkuar nga klubi i tij të lirohet për të kaluar te Arsenali. Topxhinjtë janë të interesuar për reprezentuesin e Australisë, mirëpo në kohën e fundit qarkulluan njoftime se marrëveshja mund të dështojë, pasi Fulham kërkon 4 milionë funta për 37 vjeçarin. Mirëpo, Schëarzer duket i vendosur të kalojë në Emirates Stadium. “Në këtë fazë të karrierës sime është mundësi e shkëlqyeshme të luaj në shkallë të lartë. Por, vetëm koha do të tregojë nëse kjo do të ndodhë ose jo”, tha Schëarzer për Daily Telegraph.
Riquelme vazhdon në Boca
Juan Roman Riquelme do të luajë në Boca Juniors edhe për katër sezone tjera, pas vazhdimit të kontratës të premten. Mesfushori kreativ argjentinas, i cili mungoi në ekipin e Diego Maradonës në Kampionatin botëror 2010 në Afrikën e Jugut, do të jetë 36 vjeç pas skadimit të kontratës së re më 2014. “Gjërat kanë përfunduar ashtu siç kemi dashur. Do të jem në klub edhe më gjatë dhe do të mbroj ngjyrat të cilat i dua shumë”, tha Riquelme.
Clemente tranjeri i ri i Kamerunit
Javier Clemente ka arritur marrëveshje dyvjeçare si selektor i ri i Kamerunit, sipas njoftimeve nga mediat të premten. Clemente, 60 vjeç, do të merr detyrën nga francezi Paul Le Guen, i cili pësoi tri humbje në Kampionatin botëror. Trajneri bask do të nënshkruajë kontratë deri në Kupën e Afrikës më 2012. Clemente kishte bërë emër si trajner i Athletic Bilbaos, duke udhëhequr ekipin drejt titullit të kampionit më 1983 dhe 1984. Ai ishte selektor i Spanjës nga 1992 deri 1998, ndërsa udhëhoqi Serbinë në Euro 2008.
14 Gusht 2010