E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i ekonomive jobujqësore, përcaktohen rregullat për regjistruesit



Qeveria do të nisë që këtë vit përgatitjen për regjistrimin e subjekteve të biznesit dhe ekonomive të ndryshme në të gjithë vendin, gjë e cila do të realizohet vitin e ardhshëm. Për këtë qëllim qeveria ka realizuar në mbledhjen e saj të djeshme disa ndryshime në ligjin “Për statistikat zyrtare”, dhe në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore”. Për nisjen këtij procesi është ngarkuar Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit, e drejtuar nga ministri Genc Pollo. Në këto ndryshime përcaktohen rregullat mbi bazën e të cilave do të veprojnë regjistruesit gjatë procesit të regjistrimin dhe grumbullimit të të dhënave në të gjithë vendin. Ligji bën miratimin e kritereve për përzgjedhjen e personelit të regjistrimit të përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore, si dhe të detyrave e përgjegjësive të tij. Përgjegjësitë, detyrat dhe kriteret e përzgjedhjes së personelit të regjistrimit d.m.th. anketuesit janë të ndryshme dhe janë bazë për përcaktimin e rregullores të punës së tij.

Anketuesi
Anketuesi ka këto përgjegjësi: kontakton dhe interviston ndërmarrjet jobujqësore, të përfshira në regjistrim; i përgjigjet në kohë dhe me cilësi plotësimit të kërkesave të dokumentacionit që i jepet në përdorim; është i paanshëm kur plotëson pyetësorin, nuk ndikon në përgjigjen e të intervistuarit dhe kontrollon çdo përgjigje për argumentim dhe përputhshmëri; respekton rregullat e konfidencialitetit dhe informon të intervistuarin se informacioni i dhënë prej tij është krejtësisht konfidencial dhe publikohet vetëm në mënyrë të përmbledhur e vetëm për qëllime statistikore; kontakton stafin e regjistrimit, në Institutin e Statistikave (INSTAT), për çështje të ndryshme lidhur me njësinë që do të anketojë dhe me pyetësorin; për problemet e ndeshura gjatë intervistimit, jep shënime të hollësishme, të shoqëruara edhe me numrin e pyetjes, tek “Shënime për anketuesin”.

Detyrat
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë, anketuesi ka për detyrë: të ketë paraqitje serioze, të sillet në mënyrë korrekte, të jetë i komunikueshëm, këmbëngulës dhe profesional në marrjen e informacionit të kërkuar, gjatë intervistës; të intervistojë atë ndërmarrje e cila e ka Numrin Identifikues të Personit të Tatueshëm (NIPT) të njëjtë me atë që është shkruar në etiketën e pyetësorit; të bëjë pyetjet, gjatë intervistimit, ashtu siç janë përcaktuar në pyetësor dhe sipas udhëzimeve të dhëna në manual; të përdorë informacionin e marrë vetëm për interesa profesionale e në kuadër të regjistrimit dhe jo për interesa private të vetat a të personave të tjerë; t’ia përcjellë informacionin vetëm kontrollorit ose specialistit përgjegjës për regjistrimin; të ruajë konfidencialitetin e pyetësorit dhe materialeve të regjistrimit; të studiojë me kujdes të gjithë përmbajtjen e pyetësorit dhe manualin dhe ta kryejë punën personalisht, sipas udhëzimeve të përfshira në manual, si dhe të gjitha udhëzimeve që jepen nga stafi përgjegjës për kryerjen e regjistrimit; të kryejë intervista, nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta në ndërmarrje, me përfaqësuesin e saj, presidentin/administratorin, drejtorin ose ekonomistin; të prezantojë veten, të tregojë letërnjoftimin dhe autorizimin e INSTAT-it, gjatë kontaktit me përfaqësuesin e ndërmarrjes. Detyrat, funksionet dhe përgjegjësitë e anketuesit nuk mund t’u transferohen personave të tretë.

Përzgjedhja
Për t’u përzgjedhur, anketuesi duhet të përmbushë këto kritere: të ketë arsimin e mesëm (profili ekonomik përbën përparësi); të jetë banor i rrethit ku do të kryhet regjistrimi; të jetë i aftë fizikisht dhe i gatshëm për lëvizje në distanca të gjata; të shkruajë pastër dhe qartë; të ketë aftësi të mira komunikuese. Përvoja në fushën e vrojtimeve përbën përparësi. Për t’u përzgjedhur, kontrollori, në qark ose në rreth, duhet të përmbushë këto kritere: të ketë arsimin e mesëm (profili ekonomik dhe arsimi i lartë përbën përparësi); të ketë aftësi të mira komunikuese dhe organizuese; të shkruajë pastër dhe qartë.

Kontrollori në qark

Kontrollori në qark ka këto përgjegjësi: organizon dhe drejton e punën e kontrollorëve në rreth dhe merr në dorëzim e punën e kryer prej tyre; respekton procedurën e regjistrimit, për zbatimin e afateve. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë kontrollori në qark ka për detyrë: të organizojë dhe zhvillojë trajnimin e kontrollorëve të rretheve, sipas librit udhëzues, të përgatitur nga INSTAT-i për këtë qëllim, pasi ka kaluar edhe ai vetë trajnimin përkatës; të kryejë shpërndarjen dhe grumbullimin e materialeve e dokumenteve të regjistrimit, për kontrollorët e rretheve që mbulon. Kjo veprimtari dokumentohet me procesverbale dhe formularë të përgatitur nga INSTAT-i, për këtë qëllim.

Kontrollori në rreth

Kontrollori në rreth është përgjegjës për të mbikëqyrur: mbarëvajtjen e punës në terren, për mbulimin e anketimit dhe cilësinë e të dhënave të grumbulluara; shpërndarjen dhe grumbullimin e të gjitha materialeve dokumentare të regjistrimit, për anketuesit që mbulon, me anë të procesverbaleve të përgatitura nga INSTAT-i, për këtë qëllim. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë, kontrollori në rreth ka për detyrë: të organizojë dhe të kryejë trajnimin e anketuesve të ndërmarrjeve, sipas udhëzimeve metodologjike të dhëna, pas trajnimit që ka kaluar edhe ai vetë; të organizojë dhe të ndjekë të gjithë punën e anketuesve në terren, sipas detyrave, listave të njësive dhe afateve të anketimit, të caktuara për çdo anketues (kalendari i punës); të kontrollojë cilësinë e të dhënave të pyetësorëve të plotësuar, sipas kritereve metodologjike dhe planit të kontrollit që atij i është dhënë. Kontrollori në rreth bashkëpunon me anketuesit për korrigjimin e gabimeve të vërejtura në plotësimin e pyetësorëve. Ai urdhëron ribërjen e intervistës, kur e gjykon të nevojshme; të mbajë lidhje të vazhdueshme me drejtuesit eprorë, që janë zyra e regjistrimit në qark dhe mbikëqyrësi i qarkut, për probleme të ndryshme; të plotësojë formularët përmbledhës dhe raporte të tjera informative lidhur me regjistrimin në rreth; të dorëzojë dhe të marrë në dorëzim dokumentacionin përkatës të regjistrimit, kurdoherë të dokumentuar në formularët përkatës, të nënshkruar nga palët; të kryejë kontrolle në terren.

Përvoja në fushën e vrojtimeve përbën përparësi

Mbikëqyrësi (supervizori) është përgjegjësi kryesor për zbatimin e kritereve metodologjike, të përcaktuara gjatë regjistrimit të ndërmarrjeve. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë, mbikëqyrësi ka për detyrë: të mbajë lidhje të vazhdueshme me kontrollorët në rreth e në qark, të bashkëpunojë dhe të bashkërendojë punën me zyrën e statistikës në rreth, për probleme të ndryshme gjatë regjistrimit; të bëjë sondazhe për të kontrolluar cilësinë e të dhënave të grumbulluara në pyetësorë, duke bërë vërejtje dhe duke urdhëruar korrigjime eventuale; të dorëzojë dhe të marrë në dorëzim dokumentacionin përkatës të regjistrimit, të dokumentuar në formularin përkatës, të nënshkruar nga palët. Për t’u përzgjedhur, mbikëqyrësi duhet të përmbushë këto kritere: të ketë arsimin e lartë (profili ekonomik përbën përparësi); të ketë njohuri mbi paketën “Microsoft office”; të jetë i aftë fizikisht për lëvizje në distanca të gjata e për kontrolle në terren; të njohë territorin administrativ të qarkut që do mbulojë; të ketë aftësi të mira organizative; të ketë aftësi të mira komunikuese.

Personi i kontaktit në organet e qeverisjes vendore

Në zbatim të nenit 7, të ligjit “Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore”, kryetari në bashki apo komunë cakton personin e kontaktit, i cili do të asistojë personelin e regjistrimit për të dhënë informacione për identifikimin e njësisë që do regjistrohet si: adresa, emërtime, objekti i veprimtarisë dhe informacione të tjera ndihmëse. Personi i kontaktit, për t’u përzgjedhur, duhet të plotësojë këto kritere: të jetë punonjës në përbërje të sektorit të taksave vendore apo të biznesit të vogël, në bashkinë ose komunën përkatëse; të ketë autoritetin e dhënies së informacionit për evidentimin e subjektit, si, adresa, emërtimi, veprimtaria apo ndonjë informacion tjetër ndihmës; të njohë mirë sistemin e adresave të zonës.

INSTAT do të bëjë përzgjedhjen e personelit

Përzgjedhja e personelit të regjistrimit do të kryhet nga INSTAT-i, në përputhje me kriteret e miratuara në këtë vendim, si dhe duke respektuar parimet e konkurrencës mes kandidatëve. Procedura e përzgjedhjes të personelit të regjistrimit do të kryhet në dy faza:
faza e parakualifikimit, faza e testimit. Faza e parë përfshin procedurat e hartimit të listës së shkurtuar, duke parakualifikuar kandidatët që plotësojnë kriteret e miratuara në këtë vendim. Faza e dytë, ajo e testimit, përfshin një intervistim të shkurtër të kandidatit para një komisioni të posaçëm ad-hoc, të ngritur nga INSTAT-i. Ngarkohet INSTAT-i për përgatitjen e materialeve të konkurrimit dhe përcaktimin e kritereve të vlerësimit. Për zbatimin e procedurave të përzgjedhjes dhe të vlerësimit, INSTAT-i krijon komisione ad-hoc, në përbërje të të cilave do të marrin pjesë specialistë të fushës.

14 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›