Muri i Berlinit, tragjedia e mbetur në vijë
Në kujtim të viktimave të regjimit të Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ), u vendosën kurora me lule në përmendoren në rrugën "Bernauer Straße". Në kujtim të rripit të vdekjes, zonës midis dy kufijve u ndezën qirinj. Në kujtim të kujtim të viktimës së fundit të vrarë në kufi, Chriss Guefroyy, një rrugë do të marrë emrin e tij. 20-vjeçari Guefroyy, ka qenë viktima e fundit që u vra më 1989 në Berlin nga ushtarët e Republikës Demokratike të Gjermanisë. Më 13 gusht 1961, udhëheqja e RDGJ-së filloi me ndërtimin e murit. Ndarja gjermano- gjermane zgjati 28 vjet. Sipas të dhënave të qendrës për studimet historike në Pocdam, nga viti 1961 deri në vitin 1989, u ranë në Murin e Berlinit 136 vetë.
Si dhe pse u ndërtua Muri i Berlinit
Në fillim të gushtit të vitit 1961 në Moskë u takuan udhëheqësit e atëhershëm të partive komuniste të Bllokut Lindor. Ata vendosën mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.
Më 12 gusht 1961, Valter Ulbriht, kryetar i shtetit i RDGJ nënshkroi urdhrat për mbylljen e kufirit. Më 13 gusht, ushtria, policia dhe trupat luftarake nisën të ndërtojnë Murin e Berlinit.
Një mëngjes i mjegullt gushti, në Bernauer Straße. Një tramvaj ecën qetë nëpër shina dhe zhurma e ndërtimit përzihet me tingëllimën e kambanave të kishës. Dy turistë me çanta të mëdha shpine ecin rrugës përpjetë, në duar kanë një guidë udhëtimi. Më parë, muri kalonte mes për mes “Bernauer Strasse”; sot atje ndodhet vetëm një pjesë e këtij muri, e madhe dhe ngjyrë gri.
Si përkujtohet ndërtimi i murit
Vizitorëve nuk u duhet shumë fantazi për ta spostuar përfytyrimin e tyre në kohën e ndarjes: "Mua po më dridhen gjunjët dhe nuk jam në gjendje të flas. Jam i shokuar" Të ngjeshur me njëri-tjetrin qëndrojnë turistët në platformën - verandë të qendrës përkujtimore dhe vështrojnë nga sipër pjesët që kanë mbetur nga sistemi i gjerë i mbrojtjes së kufirit. Më të rinjtë e shohin për herë të parë murin; të vjetrit lidhin me të një pjesë të biografisë: "Më kujtohet mirë pamjet me ushtarin, që kërcen aty mbi telin me gjemba, në kohën e ndërtimit të murit nga Lindja për në Perëndim. Dhe gjithmonë dëgjoje lajmet se atje është vrarë dikush. Ishte e vështirë të pranoje përfytyrimin se këta ishin bashkatdhetarë, gjermanë, që shtinin kundër njëri-tjetrit."
Sabrina 16-vjeçare ka zbritur nga kulla e vëzhgimit dhe po shikon ekspozitën-filma, fotografi dhe dokumente tonikë për ndërtimin e murit. Kur muri u rrëzua, Sabrina ende nuk kishte lindur. Tani nxënësja përpiqet ta përfytyrojë Berlinin si qytet të ndarë dhe kjo i fut frikën: "Po të përpiqeshe të kaloje aty matanë, të vrisnin, njerëzit nuk jetonin dot si donin dhe ishin të detyruar të qëndronin aty."
Gjurmët e murit sot
Shumica e turistëve çuditen që prej murit ka mbetur kaq pak dhe kërkojnë gjurmë dhe pjesë të mbetura në qytet. Për fat të mirë, thotë historiania Gabriele Camphausen nga "Shoqata Muri i Berlinit". "Nuk ishin vetëm turistët e huaj, që me pyetjet e tyre këmbëngulëse: - Ku mund ta shoh Murin? - i zgjuan politikanët berlinezë dhe ata federalë. Një gjë duhet thënë: Në vitet 90-të, nga ana e politikës interesi ishte tepër i vogël, për të ndërmarrë ndonjë iniciativë për sqarimin e historisë së Murit të Berlinit"
Kur më 1989 Muri i Berlinit u hap dhe pak më vonë u rrëzua, pasoi një periudhë e distancimit ndaj këtij kapitulli të dhembshëm të historisë gjermane të pasluftës. Asgjë nuk duhet ta turbullonte gëzimin për ribashkimin e sapofituar. Ky është një shkak se pse në Berlin kanë mbetur në kaq pak vende pjesë të Murit të Berlinit. Në shumë pjesë të qytetit, vendin ku ka kaluar Muri ta tregon vetëm një vijë e shënuar në tokë. Por ajo që ka rëndësi nuk janë vetëm betoni dhe telat me gjemba, - thotë Gabriele Camhausen, por perceptimi i historisë së Murit: "Besoj se ne, sa më shumë kohë të kalojë, hapin në mendjet tona dyer të reja, dritare të reja. Krijohen hapësira krejt të reja pyetjesh. Qoftë edhe për hir të faktit, sepse brezat që vijnë nuk preken më drejtpërdrejt personalisht. Kjo do të thotë se ata nuk i kanë më pozicionime të caktuara. Ata bëjnë pyetje që neve as na shkojnë në mendje ose të cilat për ne janë edhe pak të tabuizuara."
Ndoshta ka të bëjë edhe me këto aspekte, që Senati i Berlinit tani vendosi që ta zgjerojë dhe ta riorganizojë qendrën e vogël, por tepër atraktive për vizitorët në “Bernauer Straße”, - 46 vjet pas ndërtimit të Murit të Berlinit dhe 18 vjet pas rrëzimit të tij.
Marrë nga Dojçe Vele
Trashëgimia e Ahtisaarit
Alfred Beka
Që nga viti 1956, Finlanda, në mënyrë aktive, ka marrë pjesë në misionet paqeruajtëse të OKB-së. Sot e kësaj dite, misioni i KFOR-it në Kosovë është misioni më i madh, në të cilin Finlanda është angazhuar. Për angazhimet e Finlandës për paqeruajtjen dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht në Kosovë, mund të lexohet në librin e sapo-përkthyer në gjuhën shqipe, "Trashëgimia e Ahtisaarit - Finlanda dhe Ballkani Perëndimor 1992-2008". Përmbledhësit e librit janë Jyrki Karvinen dhe Nina Suomalainen, ndërsa origjinali i tij u publikua në Finlandë në kohën e dhënies për ish-presidentin finlandez, Martti Ahtisaari të Çmimit Nobel për Paqe, në vitin 2008.
Përpos presidentit Ahtisaari, libri i ri përmban artikuj të veprimtarëve të tjerë finlandezë me ndikim në Ballkan. Këta janë Oli Ren, sot komisioner për Çështje Ekonomike dhe Monetare të BE-së; Arto Räty, ish-komandant i KFOR-it finlandez; Osmo Lipponen, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, dhe Helena Ranta, dentiste ligjore, e cila ka hetuar varreza masive në Kosovë.
Me këtë libër përmbledhësit duan të ngjallin diskutimin për rolin e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht për rolin e BE-së, në stabilizimin dhe zhvillimin e Ballkanit. Autorët nuk i kursejnë kritikë ndaj veprimtarëve vendas dhe as ndaj organizatave ndërkombëtare.
Në tekstin prezantues, në kopertinën e librit, thuhet se që nga fillimi i viteve ‘90-të, veprimtarët finlandezë kanë ndikuar dukshëm në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Aktiviteti i tyre përfshin periudhën që nga shpërbërja e Jugosllavisë deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës në vitin 2008.
“Gjatë pothuajse 20 viteve, finlandezët, ndër ta, Martti Ahtisaari, Elisabeth Rehn, Harri Holkeri, Helena Ranta dhe shumë të tjerë, në Ballkanin Perëndimor kanë ushtruar detyra të shefave, të ekspertëve dhe të paqeruajtësve, duke e përfaqësuar Finlandën, BE-në, OKB-në, NATO-n dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, - shkruhet në kopertinën e librit.
Në librin "Trashëgimia e Ahtisaarit; - Finlanda dhe Ballkani Perëndimor, 1992-2008" janë përmbledhur përshkrime për luftën, për paqen dhe për jetën në Ballkanin Perëndimor, shikuar nga këndvështrimi finlandez. Ballkani ka shërbyer si burim i përjetimeve të shumta. Me këtë libër bëhen përpjekje për të ngjallur diskutim për përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare për të reaguar në raste të konflikteve dhe të gjenocideve. Në libër shtrohet edhe pyetja se cili është roli i bashkësisë ndërkombëtare në rindërtim: A duhet të merren vendime, pa pjesëmarrjen e vetë vendeve në krizë, për të arritur rezultate të shpejta, apo a nevojitet vetëm përkrahja ndaj vendeve në konflikt në proceset e tyre për stabilizim? Ballkani Perëndimor do të mbetet tema e mediave. Pyetja për përgjegjësinë e Evropës për ruajtjen e stabilitetit vazhdon të mbetet aktuale në kohën kur vendet e Ballkanit Perëndimor po i afrohen Bashkimit Evropian, duke synuar anëtarësimin në të.
Libri "Trashëgimia e Ahtisaarit" është një nga librat e rrallë, të përkthyer nga gjuha finlandeze në shqip. Të njëjtit përkthyes, Eset Feka dhe Tuula Nevala, para këtij libri, kanë publikuar edhe librin e presidentit Ahtisaari "Detyra në Beograd", i cili merret me negociatat për paqe në Kosovë në vitin 1999.
Libri i ri, "Trashëgimia e Ahtisaarit", pasqyron ngjarjet e dekadës së fundit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Libri është botuar nga shtëpia botuese ‘Nevala Tuula’, ndërsa promovimi i tij organizohet në ambasadën Finlandeze në Prishtinë më datën 16 gusht.
14 Gusht 2010