E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë në arrest shtëpie bodigardin e Shkëlzenit

Prokuroria kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për Fatos Skejën në arrest me burg


Gjykata: Krimi për të cilin akuzohet përbën rrezikshmëri, por i akuzuari është oficer i Gardës


TIRANË- Gjykata e Apelit vendosi arrest shtëpie, duke mos ndryshuar masën ndaj gardistit Fatos Skeja, i njohur edhe si shoferi i djalit të kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar për "tentativë vrasjeje" ndaj Sh.Ruçit, i cili punonte kamerier në një lokal në rrugën e Elbasanit.


Sipas vendimit të gjykatës, Skeja duhet të qëndrojë jashtë qelisë, por në "arrest shtëpie". Vendimi që u dha dje nga treshja gjykuese e Apelit, nuk ndryshoi masën e sigurisë edhe pse prokurori Blerim Tominaj kërkoi ndryshimin e saj me arrest me burg. Kërkesa nuk u pranua, pasi sipas gjykatës, Skeja nuk përbën rrezikshmëri shoqërore pasi është i izoluar në banesën e tij.


"Në rastin konkret, kemi rrezikshmëri të veprës për të cilën dyshohet se ka kryer i dyshuari Fatos Skeja, por nuk kemi elementin e dytë që është rrezikshmëria e këtij të dyshuari. Skeja nuk ka precedentë penalë të mëparshëm, është i martuar me fëmijë, me arsim të lartë dhe është punonjës i Gardës së Republikës"-thuhet në arsyetimin e vendimit.


Gjykata në caktimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie" u bazua edhe në deklaratën noteriale të firmosur nga i dëmtuari Sh.Ruçi.


"Në këto kushte nisur nga sa më lart, referuar dhe deklaratës noteriale të të dëmtuarit Sh.Ruçi, të datë 15 nëntor 2010, që me vullnet të plotë ka deklaruar përpara noteres se nuk e njeh Fatos Skejën, nuk ka pasur konflikt me të dhe se ai nuk është autor i plagosjes së tij, gjykata çmon se "arresti në shtëpi" do të shërbejë si masë sigurimi më e përshtatshme për këtë të dyshuar.


Në përfundim u cilësua i ligjshëm ndalimi i personit të hetuar Fatos Skeja, për "vrasje me dashje në tentativë", duke vendosur masën e sigurisë "arrest në shtëpi"- thuhet në vendimin e firmosur nga gjyqtari Flamur Kapllani i lënë në fuqi dje nga Apeli.


Reth orës 12:30 të mesditës së 15 nëntorit, në një lokal në rrugën e Elbasanit pranë "Varrezave të Dëshmorëve", u plagos me plumb në shpatull kamerieri Sh. Ruçi. "Rreth orës 12:30, kur ishte me shërbim në pjesën e jashtme të lokalit, në verandë i kishte shërbyer një tavoline prej 5-6 vetash mes tyre edhe Fatos Skejës.


Ai sapo ishte ulur në tavolinë ka kërkuar të pastrohej tavlla e duhanit. Kërkesës iu bashkuan dhe të tjerët që thanë: Ka një orë tavlla e mbushur". Kamerieri iu afrua tavolinës për ta pastruar dhe kërkoi të hapej vend.


Në këtë moment nisi debati mes tij e personave në tavolinë dhe u acarua mes gardistit Skeja dhe kamerierit, që nisi të fyente dhe shante kamerierin. Sharjet e nervozuan Ruçin që pasi hyri në lokal, doli që andej me një thikë, duke iu pohuar klientëve në tavolinë: "Do të takohemi". Në ikje e sipër ai drejtoi sharje drejt të tavolinës e konkretisht ndaj Skejës.


Menjëherë ky iu vu pas duke qëlluar tri herë me armë. Plumbi i tretë e zuri të riun në shpatull, ndërsa më pas u dërgua në spital. Skeja u arrestua mesnatën e asaj nate nga policia me urdhër të prokurorisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›