E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prognoza e koalicioneve në Kosovë

Një nga problemet që po shoqëron opinionin publik lidhur me zgjedhjet në Kosovë është konfiguracioni i qeverisjes së ardhshme. Tani që kemi në dorë rezultatet paraprake, deri diku të parashikuara, përjashtuar deformimet të cilat nuk sjellin ndryshime esenciale, mund të bëjmë prognozën e koalicioneve të mundshme.


Kosova ka një specifikë të veçantë kur kemi të bëjmë me krijimin e shumicave. Parlamenti kosovar ka gjithsej 120 deputetë nga të cilët 20 vende janë të rezervuara për pakicat, 10 prej të cilëve janë ekskluzivisht për pakicën serbe, e cila në thelb i ka bojkotuar zgjedhjet. Që do të thotë se shumica e deputetëve që përcaktohen me zgjedhje nuk përbën shumicën e parlamentit.


Vendet e rezervuara prishin ekuilibrat kur vjen puna për krijimin e shumicave qeverisëse. Ato, varësisht nga situatat, janë avantazh ose disavantazh për partitë që marrin mandatet për të krijuara koalicione qeveritare.


Shtuar këtu edhe mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, krijohet një problem i madh në përcaktimin e shumicave reale (imagjinoni në parlamentin kosovar, në kushtet e kryesisht bojkotit të pakicës serbe, futen përfaqësues pakicash qoftë edhe me 300 vota!).


Konfiguracioni i politikës kosovare, ku të paktën 5 parti e kalojnë dukshëm pragun elektoral prej 5 %, e vështirëson krijimin e një qeverisje të fortë, me opozicion gjithashtu relativisht të fortë. Le të vijmë në rastin konkret.


Bazuar në rezultatet paraprake të deklaruara zyrtarisht, vetëm 5 blloqe politike kanë arritur të futen në parlament, nga të cilat PDK e Hashim Thaçit ka arritur një rezultat rreth 33%, LDK e Isa Mustafës rreth 24%, Vetëvendosja e Albin Kurtit 12%, AAK e Ramush Haradinajt 11%, dhe AKR e Behgjet Pacollit të paktën 7%. Këto janë subjektet, që së bashku me minoritetet do të duhet të zgjedhin se cila do të jetë qeveria dhe cila opozita.


Sipas Kushtetutës, mandatin për krijimin e qeverisë i jepet partisë që ka fituar shumicën relative, pra që është në vend të parë në rezultat.


Hashim Thaçi do të këtë shansin të krijojë, më së pari, një shumicë parlamentare, e cila do të duhet të mbështesë qeverinë e tij. Por para se të mbërrihet në krijimin e qeverisë ekziston dhe një hallkë tjetër, e cila do të zgjidhet paralelisht me krijimin e shumicës qeverisëse. Para se të krijohet qeveria do të duhet të zgjidhet Presidenti i Kosovës, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë pjesë e pazarit politik për krijimin e shumicës.


Deri tani vetëm një gjë është e sigurt që PDK dhe LDK nuk do të jenë në të njëjtën anë. Ndryshe gjithçka do ishte e zgjidhur, sipas të njëjtit model me paraardhësin.


Pasur parasysh këtë, zgjidhja bëhet e vështirë, referuar raporteve politike mes partive kosovare. Normalisht PDK pritet të ketë 35-36 vende në parlament, duke llogaritur edhe votat e subjekteve që nuk e kanë kaluar pragun elektoral e që shkojnë në shumicë për llogari të partive më të mëdha.


Kësaj shume i shtohen automatikisht edhe të paktën 10-15 vende të pakicave përfshirë këtu edhe disa parti serbe që kanë pranuar të marrin pjesë në zgjedhje, dhe i bie që Hashim Thaçit do t'i duhet patjetër që, përveç asaj të Behgjet Pacollit, shtatë numrat e të cilit nuk i mjaftojnë për të bërë qeverinë, të ketë në koalicion edhe një nga dy partitë e tjera AAK-në e Haradinajt ose Vetëvendosjen e Kurtit.


Por nëse e përjashtojmë këtë të fundit për shkak të deklarimeve të forta se nuk do të bëjë koalicion me ata që kanë qeverisur deri tani Kosovë, e vetmja mundësi e Thaçit për t'ia dalë një shumice solide, mbetet AAK e Ramush Haradinajt. (Kjo mund të vendoset nga vetë Haradinaj do të jetë në Kosovë pas pak ditësh i liruar nga Haga me kusht).


Nëse edhe AAK, e cila përbën një pikë kyçe në këtë variant zgjidhjeje, do ta refuzojnë Thaçin atëherë situata mund të komplikohet, pasi do duhet që e gjithë pjesa tjetër prej 4 partive veç PDK-së të krijojë qeverinë e Kosovës. Me pak fjalë qeveria ose do të prihet nga PDK dhe dy parti të tjera, ose nga LDK dhe tri partitë e tjera, shtuar pakicat etnike në të dyja rastet.


Historia e pas luftës e dy ish krerëve të njohur të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt është një histori rivalitetesh dhe mospajtimesh të thella politike. Gjatë qeverisjes së kaluar Haradinaj ka qenë e vetmja opozitë reale në Kosovë dhe i vetmi faktor që vazhdimisht ka kërkuar zgjedhje të parakohshme.


Është koha të shihet nëse këta dy liderë, me histori të ngjashme, do të bëjnë paqe politike apo do të vazhdojnë të mbeten në anët e kundërta të spektrit. Varësisht nga lëvizja e AAK-së, dhe e Vetëvendosjes, do të varet fakti se mes kujt do të ndahet këtë radhë torta e pushtetit.


Një mospranim i Lëvizjes së Albin Kurtit për të kontribuar në pushtet, të paktën në njërën anë, do të favorizonte një koalicion të detyruar PDK - AAK ose shkuarjen e Kosovës sërish në zgjedhje. Sistemi i dy ekuacioneve me dy të panjohura PDK - AAK - AKR dhe LDK + Vetëvendosja + AAK + AKR me dy shumica potenciale do të kërkojë kështu jo më shumë se 2 aktorë për tu zgjidhur Ramush Haradinajn dhe Albin Kurtin. Në këtë do të jetë i pranishëm, sigurisht, ndikimi i faktorit ndërkombëtar me presionin e të cilit Kosova do ta ketë patjetër një qeveri të re.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›